:: Trashëgimia natyrore, mbrojtja e peizazheve dhe zhvillimi i qëndrueshëm
Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës përballen me sfida të ndryshme në lidhje me mjedisin, mbrojtjen e peizazheve dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe planifikimin rajonal ose hapësinor. Këto sfida kërkojnë shpesh një përqasje ndërkombëtare.
Këshilli i Evropës ka hartuar një numër instrumentesh dhe udhëzuesish për të:
- mbrojtur dhe menaxhuar mjedisin natyror në Evropë;
- ruajtur dhe përmirësuar mjedisin njerëzor dhe habitatin;
- zhvilluar planifikimin hapësinor dhe konceptet e zhvillimit;
- nxitur një përqasje gjithëpërfshirëse për të balancuar zhvillimin e qëndrueshëm.
::. Strategjia Panevropiane, Biologjike dhe Diversiteti i Peizazheve
Strategjia e aprovuar në vitin 1995 nga Konferenca Ministrore mbi “Një mjedis për Evropën” është hartuar për të nxitur përdorimin e iniciativave, mekanizmave, fondeve, programeve të punës kërkimore shkencore dhe informacionit ekzistues, me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e diversitetit biologjik dhe natyror në Evropë. Ajo ka si synim të sigurojë që:
- të reduktohen në mënyrë të konsiderueshme kërcënimet ndaj diversitetit biologjik dhe natyror të Evropës;
- të rritet qëndrueshmëria e diversitetit biologjik dhe natyror të Evropës;
- të forcohet koherenca ekologjike e Evropës;
- publiku të jetë i angazhuar plotësisht në ruajtjen e diversitetit biologjik dhe natyror.
Strategjia është një përqasje e re dhe praktike për të ndaluar shkatërrimin e diversitetit biologjik dhe natyror të Evropës. Ajo ka si synim të integrojë çështjet ekologjike në sektorët social dhe ekonomikë.
Strategjia rithekson mekanizmat ekzistuese dhe identifikon masat plotësuese që duhen ndërmarrë për dy dekadat e ardhshme. Ajo krijon gjithashtu një përqasje të qëndrueshme dhe objektiva të përbashkëta për të ndërmarrë hapa në nivelin kombëtar e rajonal për të zbatuar Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Diversitetin Biologjik.
Strategjia zbatohet nëpërmjet angazhimit të institucioneve kryesore evropiane. Sekretariati i tij prezantohet bashkërisht nga Programi për Mjedisin i Kombeve të Bashkuara (UNEP-PMKB) dhe Këshilli i Evropës.
::. Flora dhe fauna evropiane: Mbrojtja e kafshëve të egra
Konventa mbi Mbrojtjen e Kafshëve të Egra dhe Habitateve Natyrore Evropiane (1982), e njohur më mirë si Konventa e Bernës, ka si synim të mbrojë kafshët e rralla dhe të rrezikuara dhe speciet bimore, si dhe habitatet natyrore. Ajo radhit speciet e mbrojtura, rregullon metodat e përdorura për të shfrytëzuar specie të caktuara dhe i kërkon shteteve të rregullojnë mbrojtjen e habitateve natyrore nëpërmjet krijimit të një rrjeti evropian të zonave të mbrojtura.
Konventa e Bernës është gjithashtu e hapur për shtetet jo-anëtare evropiane dhe afrikane. Ajo është ratifikuar nga 40 shtete anëtare, Komuniteti Evropian dhe katër shtete afrikane (Burkina Faso, Senegali dhe Tunizia).
::. Peizazhet natyrore, një reflektim i diversitetit kulturor të Evropës
Konventa Evropiane mbi Peizazhet u miratua në Firence në 2000, e hyri në fuqi në 1 mars 2004. Ajo nënvizon vlerën e të gjitha peizazheve ku përfshihen edhe ato të përditshmet, të cilat formojnë kuadrin në të cilin njerëzit sot jetojnë për ditë. Konventa parashtron masa për mbrojtjen, menaxhimin dhe planifikimin e peizazheve në të gjithë Evropën, me qëllim që të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm bazuar në një marrëdhënie të balancuar e në harmoni midis nevojave sociale, aktivitetit ekonomik dhe mjedisit. Konventa gjithashtu parashikon dhënien e një “Çmimi të Këshillit të Evropës mbi Peizazhet Natyrore” për të vlerësuar politikën ose masat e vëna në fuqi nga autoritetet lokale dhe rajonale, ose OJQ-të për mbrojtjen dhe menaxhimin e peizazheve të tyre.
::. Një çmim për mbrojtjen e natyrës
Diploma Evropiane e Zonave të Mbrojtura i jepet zonave, trashëgimia natyrore e të cilave është veçanërisht e rëndësishme dhe të cilat mbrohen në mënyrën e duhur. Vendet të cilave u jepet diploma dëshmojnë për pasurinë dhe diversitetin e natyrës në Evropë. Deri më sot janë dhënë si çmim 65 diploma.
::. Informacioni dhe edukimi për veprim
Nëpërmjet rrjetit të tij të korrespondencës dhe rreth dyzetë agjencive kombëtare Këshilli kërkon të rrisë ndërgjegjësimin e rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit natyror dhe kulturor. Revista “Naturopa”, e botuar që në 1968, e cila që nga fillimi ka pasur si synim nxitjen e mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, e shtriu qëllimin e saj në 2001 duke përfshirë trashëgiminë kulturore, ruajtjen e peizazheve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
::. Një plan për zhvillimin e qëndrueshëm
Konferenca Evropiane e Ministrave përgjegjës për Planifikimin Rajonal (CEMAT) mbledh së bashku përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit për të shqyrtuar sfidat e planifikimit rajonal ose hapësinor. Puna e CEMAT-it fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, natyror dhe social në Evropën e madhe nëpërmjet planifikimit rajonal ose hapësinor.
Me kalimin e viteve, një numër tekstesh janë miratuar që kanë udhëzuar politikat e planifikimit hapësinor: ato përfshijnë Kartën Evropiane të Planifikimit Rajonal/Hapësinor që mbështet një politikë planifikimi gjithëpërfshirëse, funksionale dhe afatgjatë dhe Strategjinë Evropiane të Planifikimit Rajonal. Në kohët e fundit CEMAT miratoi “Parimet udhëzuese për zhvillim të qëndrueshëm të kontinentit Evropian” që jep një kuadër fleksibël dhe me vizion për të ardhmen për bashkëpunim midis shteteve anëtare. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e trajnimit në zbatimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm hapësinor.
::. Parandalimi i katastrofave natyrore dhe teknologjike – bashkëpunimi Euro-Mesdhetar
Një Marrëveshje e Pjesshme e hapur mbi rreziqet e mëdha natyrore dhe teknologjike që mbulon parandalimin, mbrojtjen dhe organizimin e ndihmës (Marrëveshja e Rreziqeve të Mëdha EUR-OPA), u përfundua në mars 1987. Ajo është e hapur për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe gjithashtu për shtetet jo-anëtare, si Maroku, Algjeria dhe Libani. Aktualisht janë përfshirë njëzet e pesë shtete. Komisioni Evropian, UNESCO, OBSH dhe Departamenti i Çështjeve Humanitare i Kombeve të Bashkuara marrin pjesë gjithashtu, dhe Japonia ka status vëzhguesi.
Marrëveshja ka si synim një bashkëpunim më të afërt e dinamik midis shteteve anëtare duke përfshirë disiplina të ndryshme e duke përdorur të gjitha burimet që janë në dispozicion, si dhe ekspertizën për të menaxhuar rreziqet e mëdha me efektivitet.
Parandalimi i rrezikut është prioriteti kryesor me veprimtari të tilla si rritja e ndërgjegjësimit ndërmjet fëmijëve, informacione për qytetarët dhe analiza krahasuese të legjislacionit për menaxhimin e riskut. Një rrjet prej 26 qendrash Euro-Mesdhetare ndihmon për të tërhequr vëmendjen dhe pjesëmarrjen e shteteve anëtare. Këto qendra kontribuojnë për të realizuar objektiva të përbashkëta të partnerëve duke u përfshirë në informacionin mbi Evropën, trajnimin dhe programet e punës kërkimore.
Marrëveshja do të kontribuojë në planin mbarëbotëror të veprimit të miratuar gjatë Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Reduktimin e Katastrofave (Kobe, Japoni, janar 2005) nga këndvështrimi Euro-Mesdhetar, me fokus të veçantë në analizën krahasuese të legjislacionit, edukimit dhe inciativave për trajnim, si dhe në përvojën e vënë në dispozicion nga rrjeti i saj i qendrave të specializuara, në veçanti në Sistemin e Ndërgjegjësimit Evropian.