coe_logo
  

 

 


:: Kultura dhe trashëgimia


Këshilli i Evropës nxit një identitet të shumtë kulturor; ai vë në pah ndryshimet kombëtare, rajonale dhe lokale, si dhe vlerat e përbashkëta tek të cilat bazohet qytetaria evropiane, duke zbatuar e monitoruar konventa, duke përcaktuar standarde, duke bërë fushata për rritjen e ndërgjegjësimit e duke krijuar rrjete profesionale. Programi i bashkëpunimit identifikon kontributet për trashëgiminë, për zhvillimin njerëzor dhe shoqërinë si një e tërë dhe ruan krijimtarinë në sektorë të ndryshëm kulturorë.

::. Kultura

Dialogu ndërkulturor dhe parandalimi i konfliktit
Në përgjigje të numrit në rritje të konflikteve sociale dhe politike të rënduar nga ndryshimet kulturore, Këshilli i Evropës ka lançuar një projekt të Dialogut Ndërkulturor dhe Parandalimit të Konfliktit për të nxitur udhëheqësit politik kombëtar, rajonal e lokal, shoqatat e vullnetarëve, ndërmjetësit kulturorë dhe publikun në kryerjen e veprimtarive të përbashkëta që do të vënë theksin e ruajnë mirëkuptimin midis grupeve kulturore, sociale dhe fetare, me qëllim që të ulen konfliktet e të nxitet pajtimi. Këshilli po vë në përdorim diskutimin akademik dhe punën praktike në terren për të krijuar një “forum për dialog”, duke siguruar që komunitetet kulturore e fetare të Evropës, në qytete të mëdha e të vogla, ose në zona të largëta, të kenë akses të barabartë për veprimtaritë kulturore.

Politikat kulturore
Këshilli i Evropës është i vetëdijshëm nga një përvojë e gjatë se pasuria kulturore e Evropës bazohet si në ndryshueshmërinë e saj, ashtu edhe në trashëgiminë e përbashkët kulturore, dhe kështu zë një vend mjaft të mirë për  tu siguruar autoriteteve dhe profesionistëve mjetet dhe asistencën që kanë nevojë për të përcaktuar e zbatuar praktikat e mira në fushën e politikës kulturore.

  • Programi evropian i shqyrtimit të politikave kulturore kombëtare analizon situatën kulturore në vende individuale dhe i ndihmon ato që të hartojnë strategji afat-shkurtër e afat-mesëm në kuadrin e kulturës. Programi i jep gjithashtu Këshillit një vështrim të gjerë të problemeve kulturore që ndajnë shtetet anëtare, dhe ai e përdor këtë informacion për të formuar strategjitë e përgjithshme evropiane duke u shtrirë përtej fushës kulturore. Më shumë se gjysma e nënshkruajtësve të Konventës Kulturore Evropiane kanë rënë dakord që të bëjnë vlerësimin e synimeve e metodave të tyre, të mbledhin informacione mbi to, të analizojnë tendencat e t’ua vënë këto informacione për shqyrtim ekspertëve të jashtëm.
  • Përmbledhja e politikave kulturore dhe tendencave në Evropë është sistemi i parë elektronik evropian i informacionit për politikën kulturore. Ky sistem siguron lehtësitë për të marrë të dhëna kombëtare e për të bërë krahasime në nivel ndërkombëtar (www.culturalpolicies.net). Roli i tij monitorues ofron një përqasje sistematike ndaj tendencave aktuale dhe ndryshimeve, duke identifikuar indikatorët e saktë e praktikat e mira në fusha të tilla si diversiteti kulturor, dialogu ndërkulturor, financimi në fushën e kulturës, legjislacioni, pjesëmarrja dhe aksesi ndaj pasurive kulturore e shërbimeve.
  • STAGE Project - Support for Transition in the Arts and culture in greater Europe) (Projekti Stage – Mbështetje për Tranzicionin në Arte dhe kulturë në Evropën më të gjerë) u hartua specifikisht për të mbështetur Armeninë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë për të hartuar e zbatuar politika të reja e dinamike, e për të ruajtur shkëmbimet kulturore ndërmjet tyre dhe me vende të tjera evropiane nëpërmjet binjakëzimit të institucioneve kulturore (muzeumet dhe bibliotekat) dhe bashkëpunimit midis qyteteve të mëdha e të vogla.

Veprimtaria kulturore dhe zhvillimi ekonomik e social

Këshilli i Evropës është veçanërisht i interesuar në krijimtarinë kulturore si një mjet për të përjetuar identitetet dhe ndryshimet. Ai mbështet projektet pilote për krijimin dhe rritjen e industrisë kulturore në terren dhe integrimin social nëpërmjet veprimtarisë kulturore.
  • Projekti i Këshillit Creating cultural capital (Krijimi i kapitalit kulturor) është hartuar për të nxitur e mbështetur diversitetin kulturor e krijimtarinë në nivel evropian e botëror, duke iu ofruar prodhuesve të veprave kulturore në nivel lokal lehtësi aksesi për tregun e kulturës botërore. Partneritetet, trajnimi dhe veprimtaritë në rrjet në disa rajone evropiane – si për shembull në Ukrainë dhe Federatën Ruse – vënë në dukje kontributin e industrive kulturore për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre rajoneve.
  • Këshilli i Evropës ka zgjedhur Federatën Ruse si vendin për të zbatuar projekte pilote për të forcuar partneritetet e reja midis organizatave të artit dhe komunitetit të biznesit. Projekti Bridges to New Partnerships for Culture (Ura për Partneritete të Reja për Kulturën) fokusohet në sponsorizimin, mbështetjen dhe transferimin e njohurive dhe shkëmbimin e aftësive nëpërmjet kurseve të trajnimit dhe materialeve në fushën kërkimore.
  • Nëpërmjet veprimtarive pilote që kanë si qëllim nxjerrjen në pah të efekteve pozitive të nxitjes së identiteteve kulturore dhe shprehjes kulturore, projektet pilote të Këshillit të Evropës hartohen për të nxitur identitetet dhe shprehjen kulturore; Këshilli synon të integrojë të rinjtë në shoqërinë moderne dhe të ndihmojë që ata të shprehin identitetin e tyre në mënyrë krijuese.

Promovimi i kinemasë evropiane

Komiteti i Kulturës ka hartuar Konventën Evropiane për Bashkë-Prodhimet Kinematografike, që mbështet kinemanë evropiane nëpërmjet bashkëprodhimeve me cilësi të lartë dhe tani ka adoptuar një Konventë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Audiovizuale, që u hap për nënshkrim në 8 nëntor 2001. Deri tani dymbëdhjetë shtete e kanë nënshkruar atë dhe dy e kanë ratifikuar.

Euroimages (Euroimazhi)
Euroimazhi është fondi i Këshillit të Evropës për bashkë-prodhimin dhe shpërndarjen e punimeve kinematografike dhe audiovizuale evropiane. Ai u krijua në vitin 1989, si një marrëveshje e pjesshme me 31 shtete deri tani. Buxheti vjetor është gati 20 milion euro.
Objektivi kryesor i Euroimazhit është të mbështesë punimet që duket se reflektojnë aspektet e shumta të shoqërisë evropiane, rrënjët e përbashkëta të së cilës  reflektojnë një sfond të përbashkët kulturor.
 
Euroimazhi jep gjithashtu mbështetje financiare për një industri që merret me suksesin tregtar, por që është gjithashtu një art në vetvete dhe që dëshiron të konsiderohet si i tillë.

Me këto dy synime në mendje, Euroimazhi ka krijuar tre programe financimi për të mbështetur bashkë-prodhimin, shpërndarjen dhe kinemanë.

Burimet e tij vijnë kryesisht nga kontributet e shteteve anëtare dhe ripagesat e paradhënieve. Shumica e parave (gati 90% e buxhetit total) mbështet bashkë-prodhimin. Që kur u krijua, ai ka mbështetur mbi 1 000 filma me metrazh të gjatë dhe dokumentarë. Disa prej tyre kanë fituar çmime prestigjioze në festivale ndërkombëtare. Një listë prej 100 filmash më të fundit të mbështetur nga Euroimazhi mund të gjenden në faqen e internetit.

Mbështetja për shpërndarjen dhe filmat është e disponueshme për shtetet anëtare që nuk mund të aplikojnë për financimin që jepet nga Programi MEDIA i Bashkimit Evropian.

::. Trashëgimia kulturore

Politikat për trashëgiminë dhe ndryshimin social
  • Drafti i Këshillit të Evropës Konventa Kuadër për vlerën e trashëgimisë kulturore për shoqërinë vendos funksionet e trashëgimisë në kontekstin e “shoqërisë së njohurive” dhe atë të ekonomisë së globalizuar. Ai parashtron linjat kryesore të politikës së trashëgimisë duke ruajtur dialogun ndërkulturor, vlerat e përbashkëta dhe një cilësi më të mirë jetese. Evropianët kanë një përgjegjësi të përbashkët për të ruajtur pasurinë e kontinentit të traditave kulturore, dhe sa më shumë njerëz që të jetë e mundur duhet të përfshihen për të tejçuar këtë trashëgimi.
  • European information system (Sistemi evropian i informacionit) (www.european-heritage.net) është një mjet pune në dispozicion të qeverive, profesionistëve dhe publikut dhe ofron një sërë shërbimesh duke përdorur teknologjitë e kompjuterit, si për shembull bazat e të dhënave mbi politikat e trashëgimisë në Evropë, një thesaurus mbi trashëgiminë, një portal që jep akses ndaj faqeve kombëtare të internetit dhe diskutimet zhvilluese si forumet dhe ekspozitat virtuale. Në këtë rrjet janë përfshirë tridhjetë e pesë shtete tashmë.
Ngritja e profilit të një identiteti të shumëfishtë evropian kulturor, të pasuruar nga diversiteti i tij
Projektet e Këshillit të Evropës vënë në dukje themelet kulturore të Evropës duke rritur ndërgjegjësimin për një trashëgimi të përbashkët fizike dhe intelektuale dhe duke nxitur krijimtarinë. Ato nxisin identitetin e shumtë kulturor që rrit ndërveprimin e kulturave të ndryshme duke jetuar krah për krah në këtë kontinent. Këshilli ka si synim të familjarizojë evropianët me trashëgiminë e tyre të përbashkët nëpërmjet projekteve të tilla si ai “në vijat e kufirit” dhe “trashëgimia nga diku tjetër”.

  • Çdo vit në shtator, të 48 nënshkrueset e Konventës Kulturore Evropiane marrin pjesë në Ditët e Trashëgimisë Evropiane - European Heritage Days (EHD), një veprimtari e përbashkët e drejtuar nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, ku vihen në pah vlerat kulturore dhe hapen ndërtesat historike që normalisht janë  të mbyllura për publikun. Evenimentet kulturore nxjerrin në dritë aftësitë lokale dhe traditat, arkitekturën dhe veprat e artit; por synimi më i gjerë është që të bashkojë qytetarët në një mirëkuptim të përbashkët, pavarësisht nga ndryshimet në kulturë dhe gjuhë.
  • Projekti “Europe from one street to the other – Evropa nga një rrugë në tjetrën” sjell së bashku shkollat nga një numër vendesh dhe përfshin nxënës në projekte edukimi proaktiv, për ti prezantuar ata me mjedisin urban dhe diversitetin e tij të lindur social, kulturor dhe artistik.
  • Council of Europe cultural routes- Rrugët kulturore të Këshillit të Evropës ka si synim të familjarizojë evropianët me identitetin e tyre kulturor nëpërmjet turizmit të cilësisë së lartë duke eksploruar aspekte pak të njohura të trashëgimisë. Këshilli i Evropës zyrtarisht mbështet rrugët që përmbushin këto kritere. Ai koordinon programin në partneritet me organet publike e private. Ai asistohet nga Instituti Evropian i Rrugëve Kulturore me bazë në Luksemburg, që vepron si një qendër teknike burimesh për zhvillimin e rrugëve.
  • Ekspozitat e Artit të Këshillit të Evropës nxisin njohuritë dhe vlerësimin ndaj artit evropian. Deri më sot janë nxjerrë njëzet e shtatë të tilla duke mbuluar periudhat kryesore të historisë së artit, nga prehistoria në ditët e sotme. Ekspozita e 28-të do të lançohet në vitin 2006 dhe i kushtohet Leonardo da Vinçit. Ajo do të titullohet “Leonardo Universal” dhe do tu japë profesionistëve dhe publikut një këndvështrim më të gjerë për këtë njeri, veprën e tij në art dhe në shkencë me një shumëllojshmëri metodash novatore (ekspozita fizike dhe virtuale, botime, programe kërkimi dhe materiale mësimdhënieve).
Bashkëpunimi teknik dhe puna në terren
Bashkëpunimi Teknik dhe Programi i Konsulencës në konservimin e integruar të trashëgimisë kulturore është një nga mjetet kryesore të Këshillit për të organizuar punën në terren dhe bashkëpunimin politik në këtë fushë. Ai mbështet dhe asiston shtetet anëtare nëpërmjet një metode ndërsektorale e të integruar ndaj dimensionit njerëzor të zhvillimit të qëndrueshëm duke marrë në konsideratë:

  • Planifikimin hapësinor dhe urban;
  • Trashëgiminë kulturore (monumentet, koleksionet arkitekturore dhe sfondet kulturore);
  • Ambientin dhe konservimin e natyrës (diversitetin biologjik dhe të peizazheve);
  • Zhvillimin rajonal dhe lokal (aktivitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës);
  • kulturën (ruajtjen dhe nxitjen e identiteteve, diversitetin kulturor, sistemet e vlerave të shoqërisë);
  • politikat sociale (përmirësimi i strehimit, infrastrukturës, hapësirave publike, parandalimi i fatkeqësive natyrore, menaxhimi pas konflikteve).

Këto aktivitete janë projekte specifike që kanë si synim kryesisht të ndikojnë në politikat kombëtare dhe të nxisin qeveritë që të ndërmarrin reforma institucionale e të përmirësojnë metodat operative, si dhe mjetet e menaxhimit të projekteve.



Last updated 2006-10-18 08:19:00

 
   © CoE Information Office, Tirana 2004 | Graphics and Programming by CPR Production   top