:: Kohezioni social
Këshilli i Evropës nxit në mënyrë aktive kohezionin social. Objektivat e tij kryesore janë:
- të promovojë konceptin e kohezionit social siç është përcaktuar në Strategjinë e Rishikuar për Kohezion Social dhe të përgatisë mjetet konceptuale dhe metodologjike, të nevojshme për zbatimin e saj në Shtetet anëtare;
- të analizojë ndryshimet sociale në dritën e përcaktimeve të kohezionit social;
- të zhvillojë konceptin e përgjegjësive të përbashkëta për një përfshirje më të gjerë të shoqërisë civile në promovimin e kohezionit social;
- të garantojë një nivel të përshtatshëm të mbrojtjes sociale;
- të analizojë zhvillimet në punësim dhe rolin e tij në integrimin social dhe çështjet e trajnimit, si dhe ndryshimet në të drejtat e punëtorëve;
- të sigurojë mbrojtje për grupet më në nevojë të shoqërisë dhe të rishikojë instrumentet e politikës në lidhje me mirëqenien;
- të nxisë barazinë e aksesit ndaj të drejtave ndërsa respekton ndryshimet;
- të luftojë përjashtimin dhe diskriminimin e të gjitha llojeve;
- të konsolidojë bashkëpunimin evropian mbi migracionin.
::. Një strategji e kohezionit social
Kohezioni social u identifikua si një prioritet mjaft i rëndësishëm në samitin e dytë të Këshillit të Evropës në 1997. Komiteti Evropian për Kohezion Social parashtroi një strategji të kohezionit social që u miratua nga Komiteti i Ministrave në 2001 dhe u rishikua në 2004. Kohezioni social siç kuptohet nga Këshilli i Evropës, është kapaciteti i një shoqërie për të siguruar mirëqenien e të gjithë pjesëtarëve të saj, duke minimizuar ndryshimet e duke shmangur polarizimin
Thelbi i strategjisë së kohezionit social është përmirësimi i aksesit për të drejtat themelore sociale siç janë parashtruar në Kartën Sociale Evropiane të Rishikuar për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Ky synim do të arrihet duke zhvilluar veprimtari ndërqeveritare në fushat e mëposhtme:
Mbrojtje sociale: po bëhen përpjekje për të shtrirë mbulimin e standardeve të parashtruara në Kodin Evropian të Sigurimit Social dhe Kodin Evropian të Sigurimit Social (të Rishikuar) në të gjitha Shtetet anëtare që janë në pozicionin e tillë që i pranojnë ato;
Shërbimet sociale: janë hartuar rekomandime për të siguruar që stafi i shërbimeve sociale të bëhet më efikas në përmbushjen e nevojave komplekse të njerëzve që rrezikojnë përjashtim social;
Punësimi: puna këtu përqendrohet në promovimin e aksesin të barabartë në punësim duke marrë parasysh ndryshimet në tregun e punës dhe ato brenda shërbimeve të punësimi;
Strehimi: po punohet në progres në lidhje me aksesin në strehim, veçanërisht në shtetet anëtare që kanë probleme të mëdha në lidhje me strehimin;
Fëmijët dhe familja: përpjekjet në këtë fushë kanë si synim të zhvillojnë një teknikë të integruar për të drejtat e fëmijëve në përputhje me konventat e Këshillit të Evropës dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës. Theksi vihet në rolin e prindërve për zhvillimin e plotë e të mirë-orientuar të fëmijëve në shoqërinë moderne.
::. Zhvillimi i kohezionit social
Sektori i Zhvillimit të Kohezionit Social të Këshillit të Evropës u ngrit në përgjigje të Planit të Veprimit të Samitit të Dytë. Puna e tij bazohet në Strategjinë e Rishikuar për Kohezion Social. Aktivitetet e tanishme përfshijnë zhvillimin e indikatorëve të nevojshëm dhe mjetet e tjera konceptuale dhe metodologjike për të nxitur kohezionin social. Ai organizon një Forum të hapur vjetor për të debatuar mbi aspektet e ndryshimit social që e ndikojnë atë. Analiza e debatit botohet në serinë “Tendencat në kohezionin social”, dhe, gazeta elektronike Social Cohesion Developments (Zhvillimet e Kohezionit Social) përshkruan iniciativat e ndryshme në detaj.
::. Konventat Evropiane për mbrojtjen e të drejtave sociale
Të drejtat sociale kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin Evropian gjatë shekullit të fundit, por megjithë progresin në shumë fusha, jo të gjithë evropianët i gëzojnë ato. Këshilli i Evropës filloi punën me projekte në vitin 1999 për të gjetur zgjidhje për shumë probleme me të cilat përballen qytetarë individualë kur përpiqen të kërkojnë të drejtat për mbrojtje sociale, strehim, shëndet dhe arsim. Instrumentet ligjore të Këshillit për këtë qëllim përfshijnë Kartën Sociale Evropiane dhe Kodin Evropian të Sigurimit Social.
Karta Sociale Evropiane, Karta e Rishikuar dhe protokollet e tyre garantojnë një numër të drejtash sociale themelore (shih kapitullin për “Të drejtat e njeriut: mbrojtje, përkrahje dhe parandalim”). Kodi Evropian i Sigurimit Social dhe Protokolli i tij garantojnë mbrojtje minimale, duke përfshirë midis të tjerash kujdesin mjekësor, sigurimet shëndetësore, kompensime për dëmtime në punë, amësinë, papunësinë, invaliditetin dhe sigurimet për të mbijetuarit, të ardhurat familjare dhe pensionet. Kodi i Rishikuar (1990) merr parasysh ndryshimet e fundit në legjislacionin e sigurimeve shoqërore në shtetet anëtare dhe përmirëson mbrojtjen e garantuar në nivel kombëtar.
::. Përkrahja jashtë shtetit
Marrëveshjet e mëposhtme lehtësojnë lëvizjen ndërkombëtare për punëtorët dhe familjet e tyre, integrimin në vendet pritëse pa humbur identitetin kulturor, mbrojtjen e tyre ligjore dhe sigurimin e mirëqenies:
- Konventa mbi Sigurimet Shoqërore. Ajo bazohet në katër parime themelore: trajtim të barabartë, uniformiteti i legjislacionit të zbatueshëm, ruajtja e të drejtave dhe pagesa e sigurimeve jashtë shtetit. Konventa mbulon të gjithë legjislacionin në lidhje me sëmundjet, sigurimet për lindje dhe invaliditet, marrja e pensioneve, pensionet e të mbijetuarve, sigurimet për dëmtime në punë dhe sëmundje të gjata, pagesa për sigurime për të gjithë jetën dhe ato për sigurimet për papunësinë dhe të familjes.
- Konventa Evropiane për Asistencën Sociale dhe Mjekësore bazohet në trajtimin e barabartë. Palët kontraktuese angazhohen që të sigurojnë shtetasit e palëve të tjera kontraktuese, që janë ligjërisht prezent në territorin e tyre, se kanë të drejtë të marrin asistencë të njëjtë sociale e mjekësore si edhe vetë shtetasit e vendit përkatës.
- Konventa Evropiane për Statusin Ligjor të Punëtorëve Migrant mishëron parimin e trajtimit të barabartë për punëtorët migrant dhe shtetasit e vendit pritës dhe garanton të drejtën për bashkim familjar. Një komitet konsultativ monitoron zbatimin e saj.
::. Bashkëpunimi bilateral dhe rajonal për sigurimet shoqërore
Këshilli i Evropës ka një program të gjerë të asistencës bilaterale dhe rajonale për shtetet anëtare në Evropën qëndrore dhe lindore. Objektivi i tij është të ndihmojë këto vende që ato të zbatojnë legjislacionin kombëtar të sigurimeve shoqërore në përputhje me standardet minimale të Kodit Evropian të Sigurimit Shoqëror dhe Protokollit të tij. Këshilli promovon edhe koordinimin e sigurimeve shoqërore duke nxitur lidhjet midis shteteve anëtare e duke përdorur instrumentët e vetë efikas ligjor. Ato garantojnë akses të barabartë për sigurime shoqërore për punëtorët migrant dhe familjet e tyre, veçanërisht kur ata kanë punuar në dy ose më shumë vende.
::. Individët me paaftësi
Këshilli i Evropës mbështet një politikë të qartë mbi individët me paaftësi duke i vënë theks të veçantë rehabilitimit, integrimit social dhe pjesëmarrjes së plotë në jetën e komunitetit. Modeli i tij i politikës eliminon përjashtimin e çfarëdolloj natyre: psikologjike, edukuese, në lidhje me familjen, kulturore, sociale, profesionale, financiare apo arkitekturore; ai nxit jetën e pavarur dhe qytetarinë e plotë, si dhe ndihmon ta tejçojë atë nëpërmjet iniciativave të ndryshme evropiane duke rekomanduar kryerjen e reformave legjislative kombëtare.
::. Çështjet e migrimit
Puna e Këshillit të Evropës në këtë fushë përqëndrohet në arsyet për migrimit, statusin ligjor të migrantëve dhe në integrimin e popullatave migrante dhe të refugjatëve. Kjo është një çështje shqetësuese, veçanërisht në vendet e Evropës qëndrore e lindore. Politikat e Këshillit theksojnë integrimin dhe nxjerrin udhëzues për të përmirësuar marrëdhëniet e komunitetit, për të nxitur kohezionin social dhe tolerancën, e për të garantuar të drejtat sociale të migrantëve. Një rekomandim për shembull, nxit aksesin për jo-shtetasit ndaj punëve në sektorin publik.
Migracioni i parregullt është një shqetësim i madh. Këshilli ka adoptuar një strategji të menaxhimit të migracionit bazuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të migrantëve që nxit dialogun dhe partneritetin midis vendeve të origjinës, të transitit dhe të destinacionit. Një nga detyrat e tij është që të shqyrtojë rregulloret e praktikat që ndikojnë statusin ligjor të rezidentëve të huaj dhe personave të tjerë që lejohen të hyjnë në territorin e shteteve anëtare.
::. Komunitetet e romëve dhe endacakëve
Këshilli i Evropës po ndihmon shtetet anëtare të përmirësojnë gjendjen e komuniteteve romë dhe endacakë të Evropës nëpërmjet programeve të asistencës, për shembull, programi i përbashkët me Komisionin Evropian për Romët në Evropën Jug-Lindore. Këshilli thekson dy aspekte thelbësore – nevojën për politika kombëtare të kuptueshme dhe nevojën për të përfshirë këto komunitete për ti hartuar e zbatuar këto politika, veçanërisht në nivel lokal. Grupi i Specialistëve për Romët, Ciganët dhe Endacakët po harton udhëzues dhe rekomandime në formë politikash për aksesin ndaj të drejtave themelore të këtyre komuniteteve. Koordinatori i Aktiviteteve për Romët ka kontakte të ngushta me Forumin Evropian të Romëve dhe Endacakëve, një shoqatë ndërkombëtar e krijuar në Strasburg në 2004, për ti dhënë zë këtyre popullatave në nivel panevropian.
::. Popullata dhe zhvillimet demografike
Komiteti Evropian i Popullatës kryen programet demografike të Këshillit. Puna e tij përfshin monitorimin e tendencave të popullatës evropiane, përgatitjen e studimeve krahasuese demografike dhe shpërndarjen e rezultateve Qeverive dhe publikut. Studimet e tij mbi politikat theksojnë ndikimet politike në zhvillimet demografike.
Komiteti jep informacione në intervale të caktuara kohore dhe bën studime demografike duke ia prezantuar ato politikë-bërësve evropianë dhe kombëtarë dhe organeve të Këshillit të Evropës si për shembull, Komitetit Evropian për Kohezion Social, Asamblesë Parlamentare dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale. Botimi kryesor i Komitetit është vjetari demografik që monitoron zhvillimet evropiane në fusha të tilla si fertiliteti, vdekshmëria, migracioni, familja dhe projeksionet e popullatës. Sektori i popullatës po jep gjithnjë e më shumë asistencë teknike për shtetet anëtare, veçanërisht me regjistrimin e popullatës e monitorimin e regjistrave civil dhe elektoral.
::. Solidariteti
Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB)
CEB u krijua në 1956 sipas një marrëveshjeje të pjesshme të Këshillit të Evropës dhe aktualisht ka 38 anëtarë. Prioriteti i saj është të japë asistencë financiare për shtetet anëtare që përballen me probleme sociale që kanë lindur nga prezenca e refugjatëve, personave të dëbuar, migrantëve dhe viktimave të fatkeqësive natyrore dhe ekologjike. Sot aktiviteti i CEB-së shtrihet përtej objektivave të saj prioritare, drejt synimeve të reja sociale dhe ekonomike, e në veçanti, drejt përmirësimit të kushteve të jetesës së grupeve sociale në nevojë si për shembull, fëmijët e braktisur, individët me paaftësi, pakicat etnike dhe ata që jetojnë nën nivelin e varfërisë.
Me këto prioritete në mendje, CEB kontribuon në financimin e projekteve sociale në tre fusha kryesor:
- Forcimi i integrimit social, në veçanti duke dhënë ndihmë për refugjatët dhe migrantët, duke rritur strehimin social, përmirësuar kushtet e jetesës në zonat urbane dhe rurale dhe krijuar e ruajtur vende të reja pune.
- Menaxhim i përgjegjshëm i mjedisit nëpërmjet veprimeve dhe ndihmës në rajonet e goditura nga fatkeqësitë natyrore apo ekologjike, ndërtimit apo rehabilitimit të infrastrukturës së furnizimit me ujë, trajtimit të mbetjeve të ngurta apo të lëngëta, krijimit të energjisë së pastër e të përhershme dhe mbrojtjes dhe rehabilitimit të trashëgimisë.
- Zhvillimi i kapitalit njerëzor nëpërmjet projekteve në sektorët e edukimit, trajnimit profesional dhe të shëndetit.
CEB-ja ka hapur një “Llogari të Caktuar të Mbështetjes ” nëpërmjet të cilës ajo kanalizon një pjesë të fitimeve vjetore me kurs interesi ndihmës dhe për dhurime të caktuara për projekte me një përmbajtje veçanërisht të lartë sociale në shtetet e veta anëtare që kanë më shumë nevojë.
CEB-ja ka akorduar hua prej më shumë se 200 miliard € që nga krijimi dhe vëllimi i borxheve vjetore të akorduara shkon në rreth 10.6 miliard €. Në 31 dhjetor 2003 kapitali i saj i akorduar ishte 30.2 miliard € dhe kapitali i deklaruar/audituar në shumën 363 milion €.
Për periudhën 2005-2009, CEB-ja synon të rrisë aktivitetin e saj në shtetet anëtare, veçanërisht në ato të Evropës Qëndrore dhe Jug-Lindore.