:: Të drejtat e njeriut: mbrojtje, mbështetje dhe parandalim
Puna e përditshme për të gjetur forma më efikase të mbrojtjes së të drejtave të njeriut është një nga synimet bazë të Këshillit të Evropës, për tu përmbushur në katër fusha kryesore:
- mbikëqyrje efektive dhe mbrojtje e të drejtave dhe lirive themelore;
- identifikimi i kërcënimeve të reja për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit njerëzor;
- zhvillimi i ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e të drejtave të njeriut;
- nxitja e edukimit për të drejtat e njeriut dhe trajnimit profesional.
Midis traktateve më të rëndësishme në këtë fushë janë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues dhe Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
::. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Arritja më e rëndësishme e Këshillit është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një traktat ndërkombëtar me synim unik, e cila u miratua në vitin 1950 dhe hyri në fuqi në vitin 1953. Ajo parashtron një sërë të drejtash dhe lirish të cilat shtetet janë nën detyrimin që t’ua garantojnë çdonjërit individ brenda juridiksionit të tyre. Ajo ka krijuar edhe mekanizmin e vënies në zbatim të tyre në kuadrin ndërkombëtar, ndërsa shtetet dhe individët, pavarësisht nga kombësia e tyre, mund të referojnë në institucionet gjyqësore në Strasburg pretendime për shkelje të të drejtave të garantuara në Konventë nga shtetet kontraktuese të përcaktuara nga Konventa.
Konventa përfshin midis të tjerave, të drejtën për jetën, për mbrojtje kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor, për lirinë dhe sigurinë, për një proces të rregullt gjyqësor, për të respektuar jetën private të çdonjërit dhe të jetës familjare dhe korrespondencës, për lirinë e shprehjes (duke përfshirë lirinë e shtypit), të mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, dhe atë të mbledhjes e të shoqërimit. Protokollet kanë shtuar të drejta të tjera përveç atyre të parashtruara në Konventë, si heqja e dënimit me vdekje (Protokolli Nr. 6).
Vënia në zbatim e Konventës
Mekanizmi origjinal i zbatimit të Konventës përbëhej nga dy institucione, Komisioni Evropian i të Drejtave të Njeriut (1954) që kryesisht kryente një funksion përzgjedhës, dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (1959) që jepte gjykimin mbi çështjet që i drejtoheshin nga Komisioni apo qeveritë. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës (përfaqësuesit e qeverive nga shtetet anëtarë të Këshillit të Evropës) mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës dhe merrte vendime për çështjet që nuk i ishin drejtuar Gjykatës, kur Komisioni konstatonte një shkelje.
Nga fillimi i viteve 1980, numri i kërkesave u rrit në mënyrë të qëndrueshme, duke mbingarkuar sistemin e duke rritur zgjatjen e procedurave që mund të shkonin edhe deri në pesë vjet, që nga dorëzimi i një kërkese, e deri në marrjen e vendimit përfundimtar në baza meritore.
Një sistem që zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme
Reforma e procedurës u kërkua nga numri në rritje i aplikimeve, nga kompleksiteti i tyre dhe nga zgjerimi i anëtarësimit të Këshillit të Evropës, nga 23 në vitin 1989, në 40 në vitin 1996. Për këtë qëllim hyri në fuqi në 1 nëntor 1998 një protokoll i ri i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Protokolli Nr.11 , duke krijuar kështu një Gjykatë të vetme të përhershme, në vend të dy institucioneve ekzistuese të atëhershme të Konventës.
Një Gjykatë e vetme e të Drejtave të Njeriut
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tashmë është drejtpërdrejtë e aksesueshme për individët dhe juridiksioni i saj është i detyrueshëm për të gjitha palët kontraktuese. Ajo mblidhet në takime të përhershme dhe shqyrton fazat fillestare të një çështjeje, si dhe jep vendimet në baza meritore.
Gjykatat është e përbërë nga një numër gjyqtarësh i barabartë me numrin e shteteve kontraktuese. Gjyqtarët zgjidhen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, nga një listë prej tre kandidatësh të propozuar nga Qeveria përkatëse. Gjyqtarët gëzojnë pavarësi të plotë në kryerjen e detyrave të tyre dhe nuk përfaqësojnë shtetet që i propozojnë ata.
Presidenti aktual i Gjykatës është Luzius Wildhaber (Zvicër).
Çfarëdolloj çështje që qartësisht nuk përmbush një nga kushtet e pranueshmërisë (për shembull, detyrimin për të kaluar nëpër të gjitha instancat e mundshme gjyqësore në vendin përkatës), ose që është tërësisht e pabazuar, shqyrtohet për parimin e pranueshmërisë, apo në një fazë të hershme, dhe vendimi merret në unanimitet nga një komitet prej tre gjyqtarësh. Në të kundërtën, Gjykata mblidhet kryesisht si Dhomë me shtatë gjyqtarë. Nëse më pas aplikimet gjykohen se janë të pranueshme, Dhoma mund të bëjë përpjekje të zgjidhë çështjen miqësisht midis palëve. Nëse kjo gjë është e pamundur, Dhoma jep vendimin e saj.
Me përjashtime, për shembull në çështjet që ngrenë problemin e madh të interpretimit apo zbatimit të Konventës, çështja mund t’i kalohet për gjykim Dhomës së Madhe të përbërë nga shtatëmbëdhjetë gjyqtarë, ose nga një Dhomë përpara marrjes së vendimit, ose nga një nga palët brenda tre muajsh nga vendimi i një Dhome. Vendimet e Dhomës bëhen përfundimtare pas tre muajsh dhe vendimet e Dhomës së Madhe janë përfundimtare. Vendimet përfundimtare të Gjykatës janë të detyrueshme për shtetin përkatës.
Monitorimi i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës në të cilën është konstatuar një shkelje, është detyrë e Komitetit të Ministrave, që siguron që Shtetet të marrin çdo lloj mase të përgjithshme të duhur për të parandaluar shkelje të tjera (ndryshime në legjislacion, në jurisprudencë, në rregullore apo praktika). Ai siguron gjithashtu që kompensimi i dhënë nga Gjykata t’i paguhet aplikantit dhe, në çështje të caktuara, të merren masa të tjera konkrete për të kryer një shpërblim të plotë palës së dëmtuar (si për shembull, ri-hapja e procedurave, bërja operative e masave apo ndonjë urdhër konfiskimi, shqyrtimi i kallëzimeve në polici apo dhënia e lejes së ndërtimit).
...duke mbuluar një gamë të gjerë çështjes
Ankuesit individualë parashtrojnë një gamë të gjerë e të madhe çështjesh:
- zhdukjet dhe vrasjet e paligjshme;
- ushtrim torture dhe keqtrajtim të burgosurish;
- heqja e lirisë në mënyrë arbitrare;
- mungesë aksesi në gjykata;
- mungesa e një procesi të rregullt gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm;
- përgjim telefonatash;
- shpërngulje dhe ekstradim;
- diskriminim kundër homoseksualëve;
- liria e shtypit;
- të drejtat e prindërve të fëmijëve të marrë nën kujdestari;
- ndërhyrja në të drejtën e pronës;
- shpërndarja e partive politike.
Reforma të mëtejshme::. Reforma të mëtejshme
Nga këndvështrimi i ngarkesës në rritje me çështje në Gjykatë, u lançua një proces i mëtejshëm reformash që çoi në miratimin e një Protokolli të ri, Nr.14. Ky Protokoll që do të hyjë në fuqi kur të ratifikohet nga të gjitha Shtetet Kontraktuese, ul nivelin e përfshirjes gjyqësore në shumicën e çështjeve të drejtpërdrejta. Një gjyqtar i vetëm do të jetë në gjendje të deklarojë si të papranueshme ato aplikime që papranueshmëria e të cilave është e dukshme (duke mënjanuar gjykimin me një Komitet prej 3 gjyqtarësh që është aktualisht) dhe Komitetit prej tre gjyqtarësh do të jepet më shumë pushtet për të deklaruar çështjet e pranueshme e për të dhënë vendimin për çështjet e zakonshme të radhës, që aktualisht shqyrtohen nga një Dhomë prej shtatë gjyqtarësh. Gjithashtu, do të prezantohet nocioni i disavantazhit të konsiderueshëm, duke lejuar Gjykatën të hedhë poshtë çështjet nëse aplikanti nuk i është nënshtruar një disavantazhi të tillë. Gjithsesi, ajo do të veprojë kështu vetëm nëse respektimi për të drejtat e njeriut nuk kërkon shqyrtim të plotë të çështjes, dhe nëse ankuesi është marrë në shqyrtim korrektësisht nga një gjykatë vendase.
::. Karta Social Evropiane
Të drejtat sociale themelore
Karta Social Evropiane parashtron të drejta dhe liri, si dhe procedurat mbikëqyrëse që garantojnë respektimin e tyre nga Shtetet Palë. Karta Social Evropiane e Revizionuar e vitit 1996 hyri në fuqi në 1999 dhe po zëvendëson dalëngadalë traktatin e vitit 1961.
Të gjithë evropianët ndajnë këto të drejta sipas Kartës dhe ato ndikojnë çdo aspekt të jetës së përditshme duke përfshirë strehimin, shëndetin, edukimin, punësimin, përkrahjen sociale, udhëtimet personale dhe mosdikriminimin.
Komiteti Evropian i të Drejtave Sociale
Komiteti Evropian i të Drejtave Sociale (KEDS) kontrollon nëse shtetet anëtare kanë përmbushur angazhimet e tyre sipas Kartës. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës zgjedh pesëmbëdhjetë anëtarët e tij të pavarur e të paanshëm për një afat gjashtë-vjeçar. KEDS-ja përcakton nëse ligji dhe praktika në Shtetet Palë është në përputhje me Kartën.
Një procedurë monitorimi bazuar në raportet kombëtare
Shtetet Palë raportojnë çdo vit për zbatimin nga ana e tyre të Kartës, në ligj dhe në praktikë. KEDS-ja shqyrton raportimet, vendos nëse këto procedura përputhen me Kartën dhe boton përfundimet e saj në baza vjetore. Nëse një shtet nuk merr hapa për një vendim të KEDS-së, Komiteti i Ministrave i dërgon një rekomandim shtetit përkatës që ai të ndryshojë ligjet dhe praktikat kombëtare.
Një procedurë ankesash kolektive
Ankesat për shkelje të Kartës mund të dërgohen në Komitetin Evropian të të Drejtave Sociale sipas një protokolli të hapur për nënshkrim në 1995, që hyri në fuqi në 1998.
Organizatat që kanë të drejtë të çojnë një ankesë në KEDS
Në rast se të gjitha shtetet e kanë pranuar procedurën:
- Konfederata e Unionit Evropian të Tregtisë (KUET-ETUC), Unioni i Konfederatave Industriale dhe të Punëdhënësve të Evropës (UKIPE-UNICE) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punëdhënësve (ONP-IOE);
- Organizatat Jo-Qeveritare (OJQ) me status konsultativ në Këshillin e Evropës të renditura për këtë qëllim nga Komiteti Qeveritar;
- Organizatat e punëdhënësve dhe sindikatat në vendet përkatëse;
Në rast se shtetet që kanë rënë dakord:
KEDS-ja shqyrton ankesën dhe deklaron se ajo është e pranueshme nëse përmbush kërkesat formale. Një procedurë me shkrim vijon pas pranimit të çështjes; ajo përfshin një shkëmbim të dhënash dhe KEDS-ja mund të urdhërojë për mbajtjen e një seance publike. KEDS-ja më pas vendos për çështjen në baza meritore dhe raporton për konstatimet e nxjerra në Komitetin e Ministrave dhe palët e interesuara; raporti botohet brenda katër muajsh nga marrja e vendimit. Përfundimisht, Komiteti i Ministrave miraton një rezolutë. Nëse është e nevojshme, mund të rekomandojë marrjen e masave specifike për të vënë në të njëjtën linjë veprimi ligjet dhe praktikat e Shtetit përkatës me Kartën.
Efektet e Kartës në shtete të ndryshme
Shtetet anëtare bëjnë ndryshime në legjislacionet e tyre apo praktikat përkatëse për t’u pajtuar me Kartën, si rezultat i sistemit të monitorimit. Detajet dhe zhvillimet aktuale përkatëse në vendet përkatëse botohen në faqen e internetit.
::. Parandalimi i torturës dhe trajtimi çnjerëzor apo poshtërues, ose ndëshkimi
Pak mund të shihet mbi atë që zhvillohet pas dyerve të mbyllura të burgjeve, rajoneve të policisë, institucioneve të shëndetit mendor dhe të tjera si këto. Për këtë arsye, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor e Poshtërues apo Ndëshkimit u adoptua në vitin 1987 dhe hyri në fuqi në 1989. Konventa plotëson mbrojtjen që disponohet sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke krijuar Komitetin Evropian për Parandalimin e Torturës (KEPT – CPT).
Anëtarët e KEPT-së janë ekspertë të pavarur e të paanshëm që i përkasin një shumëllojshmërie përvojash. Ata janë për shembull, doktorë dhe specialistë për burgjet apo çështjet në lidhje me policinë.
Kontrolle në terren
KEPT-ja viziton vendet e ndalimit (për shembull, burgjet, qendrat e ndalimit për të miturit, rajonet e policisë, qendrat e ndalimit për të burgosur të imigracionit dhe spitalet psikiatrike), për të parë se si trajtohen personat të cilëve iu është privuar liria. Komiteti ka akses të pakufizuar për të vizituar vendet e ndalimit dhe mund të marrin në pyetje të ndaluarit privatisht. Ai mund të komunikojë gjithashtu lirshëm me cilindo person që mund të japë informacion të dobishëm, duke përfshirë organizatat jo-qeveritare (OJQ-të) që merren me të drejtat e njeriut.
Synimi i punës së komitetit është më shumë që të forcojë mbrojtjen e të ndaluarve kundrejt torturës dhe trajtimit çnjerëzor e poshtërues apo ndëshkimit, sesa të dënojë shtetet për abuzime. Pas çdo vizite, KTP-ja harton një raport duke i vënë theksin konstatimeve të nxjerra dhe rekomandimeve që komiteti i konsideron si të nevojshme për përmirësimin e situatës së personave të cilëve iu është hequr liria. Ky raport konfidencial i dërgohet Shtetit përkatës. Në raport përfshihet kërkesa për një përgjigje me shkrim nga ana e Shtetit ku të parashtrohen masat e marra për të zbatuar rekomandimet e bëra, reagimet ndaj komenteve të bëra dhe përgjigjet ndaj kërkesave për informacion.
Raportet e KPT-së, si dhe përgjigjet nga shtetet përkatëse janë konfidenciale, por është bërë praktikë e përhershme për shtetet që të bien dakord e t’i bëjnë ato publike.
Me përjashtime, nëse një shtet nuk bashkëpunon, KPT-ja mund të vendosë që të bëjë deklarata publike.
::. Konventa Kuadër për Minoritetet Kombëtare
Mbrojtja e personave që i përkasin minoriteteve kombëtare
Në vijim të Samitit të Vjenës së vitit 1993, Këshilli i Evropës miratoi Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare në 1994, i pari instrument i multilateral e i detyrueshëm ligjor për të mbrojtur minoritetet kombëtare në përgjithësi. Palët kontraktuese angazhohen që të ndjekin objektivat e Konventës nëpërmjet legjislacionit dhe politikave kombëtare. Këto përfshijnë sigurimin e barazisë së tyre përpara ligjit, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturave, mbrojtjen e identiteteve, besimeve fetare, gjuhëve të minoriteteve dhe traditave, garantimin e eksesit në media dhe krijimit të marrëdhënieve e kontakteve të lira përtej kufijve.
Konventa hyri në fuqi në 1 shkurt 1998. Shtetet kontraktuese duhet të raportojnë për masat që kanë marrë brenda një viti nga hyrja në fuqi, dhe një herë në çdo pesë vjet në vijim. Komiteti i Ministrave dhe Komiteti Këshillues i 19 ekspertëve të pavarur janë përfshirë së bashku në monitorimin e Konventës Kuadër. Komiteti Vlerësues bën vlerësimin për këto raporte dhe përcakton nëse detyrimet janë përmbushur dhe nxjerr një opinion. Opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave që adopton një rezolutë që përmban konkluzionet dhe rekomandimet e tij. Rregullat që udhëheqin këtë procedurë monitorimi lejojnë gjithashtu organizatat jo-qeveritare dhe shoqatat e minoriteteve për të prezantuar informacione alternative dhe/ose raporte private.
Minoritetet kombëtare në Evropë
Këshilli i Evropës ka parashikuar një sërë aktivitetesh për të mbrojtur minoritetet kombëtare si pjesë e bashkëpunimit të tij dhe programit të asistencës: ai organizon takime për të dhënë informacione të detajuara mbi Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare (dhe instrumente të tjera ligjore) dhe nxit shtetet jo-palë që të nënshkruajnë e ratifikojnë atë. Shtetet palë ndjekin këto takime për të diskutuar rreth zhvillimeve në vendet e tyre dhe zbatimit të Konventës në detaj. Delegatët përfshijnë parlamentarë, zyrtarë qeverie dhe përfaqësues të minoriteteve kombëtare. Ekspertët e Këshillit japin opinione mbi legjislacionin për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare dhe organizojnë seminare trajnimi për hartimin e raporteve të shteteve përkatëse me qëllim që procedura e mbikëqyrjes të bëhet më efektive.
Vendimi për të ri-aktivizuar Komitetin e Ekspertëve për Çështjet që kanë lidhje me Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare u mor nga Zëvendës-Ministrat në 3 nëntor 2004. Mandati i këtij Komiteti parashikon bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e organizatave të tjera ndërkombëtare.
::. Lufta kundër racizmit dhe intolerancës
Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (KERI-ECRI) u krijua në Samitin e Vjenës të vitit 1993. Ky Komision është një mekanizëm i pavarur monitorimi, detyra e të cilit është që të luftojë racizmin, ksenofobinë, antisemitizmin dhe intolerancën në të gjitha Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, nga perspektiva e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Veprimi i tij mbulon të gjitha masat e nevojshme për të luftuar dhunën, diskriminimin dhe paragjykimet me të cilat përballen individët, në bazë ngjyre, gjuhe, feje, kombësie dhe origjine kombëtare a etnike.
Programi i aktiviteteve të ECRI-t përfshin tre aspekte: përqasjen vend për vend; punën për çështje të përgjithshme; marrëdhëniet me shoqërinë civile.
Në kuadrin e përqasjen vend për vend, ECRI harton raporte që përmbajnë një analizë të detajuar të situatës në secilin Shtet anëtar të Këshillit të Evropës në lidhje me rastet e racizmit dhe diskriminimit racial, dhe propozime praktike për të ndihmuar qeveritë të tejkalojnë çdo lloj problemi të identifikuar prej tij.
Si pjesë e punës së tij në lidhje me çështje të përgjithshme, ECRI ka adoptuar nëntë rekomandime politikash të përgjithshme që iu drejtohen të gjitha qeverive të të gjithë Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Këto mbulojnë fushat kryesore të interesit në luftën kundër racizmit dhe intolerancës dhe nxjerrin udhëzues bazë për zhvillimin e politikave të përgjithshme kombëtare.
Programi i veprimit të ECRI-t mbi marrëdhëniet me shoqërinë civile punon për të përfshirë në tërësi shoqërinë civile në luftën kundër racizmit dhe intolerancës dhe për të nxitur dialogun ndërkulturor midis sektorëve të ndryshëm të shoqërisë bazuar në respektin reciprok.
::. Nxitja e barazisë ndërmjet grave dhe burrave
Këshilli i Evropës, nga këndvështrimi i përgjithshëm i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, kërkon që të luftojë kundër çdo lloj ndërhyrjeje në lirinë dhe dinjitetin e grave (për shembull, dhunën kundër grave, trafikimin e qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, apo ndonjë lloj tjetër shfrytëzimi), për të eliminuar diskriminimin në bazë gjinie dhe për të nxitur një pjesëmarrje të ekuilibruar të grave e burrave në jetën politike, si dhe publike, dhe për të përkrahur integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha programet dhe politikat.
Komiteti Drejtues për Barazinë midis Grave dhe Burrave (KDBGB-CDEG) përgatit konferenca ministrore, organizon seminare dhe boton studime për këto çështje.
::. Bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi për të drejtat e njeriut
Këshilli i Evropës bashkëpunon me shtetet anëtare dhe OJQ-të në përpjekjet e tyre për të nxitur respektimin e të drejtave të njeriut. Nëpërmjet programeve të bashkëpunimit (Aktivitetet për Zhvillimin dhe Konsolidimin e Stabilitetit Demokratik), Këshilli i Evropës organizon aktivitete, si trajnime për gjyqtarët dhe avokatët për mënyrën se si të zbatojnë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nxjerr opinione të ekspertëve mbi përputhshmërinë e legjislacionit apo projekt-legjislacionit me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, bën përkthime dhe botime të dokumenteve të të drejtave të njeriut në gjuhët e shteteve të reja anëtare, organizon seminare dhe tryeza të rrumbullakëta me/rreth institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, dhe trajnime për stafin e përfaqësuesve të qeverive në lidhje me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Programet e të Drejtave të Njeriut plotësohen nga një gamë e gjerë e veprimtarive në lidhje me ndërgjegjësimin, trajnimin dhe informacionin për publikun e gjerë, si dhe specialistët:
- zhvillimin e programeve për të drejtat e njeriut në kuadrin e ndërgjegjësimit dhe kuptimit në universitete, shkolla dhe midis anëtarëve të grupeve profesionale, si për shembull, në forcat e policisë dhe avokatët;
- forcimi i ndërgjegjësimit publik për të drejtat e njeriut nëpërmjet fushatave informuese, botimeve, materialeve audiovizuale dhe të tjera si këto, dhe Internetit;
- krijimi dhe funksionimi i një rrjeti për institutet e të drejtave të njeriut dhe organizatat e jo-qeveritare që janë aktive në këtë fushë.
::. Konventa për hapat e ndërmarrë kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Çdo vit, mijëra gra, fëmijë dhe burra bien viktima të trafikimit për qëllime shfrytëzimi seksual apo ndonjë lloj tjetër shfrytëzimi, si brenda, ashtu edhe përtej kufijve të vendeve të tyre. Ky fenomen ka arritur nivele të paprecedent që vërtet mund të konsiderohet si një formë e re skllavërie.
Këshilli i Evropës është një organizatë, synimi kryesor i të cilës është të ruajë dhe mbrojë të drejtat e njeriut. Të 46 shtetet e tij anëtare përfshijnë vendet e origjinës, të transitit dhe destinacionit të trafikimit. Për këtë arsye Organizata është pozicionuar në mënyrë të tillë që të sigurojë se shtetet e saj anëtare do të adoptojnë masa për të luftuar trafikimin në qeniet njerëzore.
Këshilli i Evropës adoptoi Konventën Evropiane për të ndërmarrë hapa kundër trafikimit të qenieve njerëzore në 3 maj 2005 dhe është e hapur për nënshkrim për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.
Synimi i kësaj Konvente është që të parandalojë dhe luftojë trafikimin e qenieve njerëzore në të gjitha format e tij, përkatësisht, kombëtar apo ndërkombëtar, qoftë i lidhur apo jo me krimin e organizuar.
Një parim i parë themelor i parashtruar në detaj në këtë konventë të re është që mbrojtja dhe nxitja e të drejtave të viktimave do të sigurohet pa diskriminim në bazë seksi, race, ngjyre, gjuhe, feje, opinioni politik apo tjetër, origjine kombëtare apo sociale, lidhjeje me një minoritet kombëtar, pronësie, lindjeje apo statusi tjetër.
Vlera kryesore që i është shtuar kësaj konvente është këndvështrimi i saj për të drejtat e njeriut, fokusi për mbrojtjen e viktimës dhe mekanizmin e saj monitorues që u garanton palëve përputhshmërinë me dispozitat e saj.
::. Policia dhe të drejtat e njeriut
Organet përgjegjëse për mbrojtjen e ligjin dhe ruajtjen e rendit në vetvete kanë pasur gjithnjë një grup të synuar të rëndësishëm në këndvështrimin e Këshillit të Evropës. Një program me gamë të gjerë, i titulluar “Policia dhe të drejtat e njeriut 1997-2000” hapi rrugën për zbatimin e programit që po zhvillohet tashmë “Policia dhe të drejtat e njeriut – përtej 2000”. Programi shërben si një katalizator dhe synon të nxisë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga anëtarët e forcave të policisë. Programi përfshin bashkëpunimin afatgjatë me shtetet anëtare, vlerësimin e nevojave, zhvillimin dhe zbatimin e planeve të veprimit dhe vlerësimit të projekteve.
::. Një Komisioner për të drejtat e njeriut
Posti i Komisionerit për të Drejtat e Njeriut u krijua në 1999.
Komisioneri është përgjegjës për përkrahjen e hapave në edukim, ndërgjegjësim dhe respektim të të drejtave të njeriut në shtetet anëtare dhe për të siguruar përputhje të plotë dhe efektive me dokumentet e Këshillit të Evropës, si konventat, rekomandimet dhe rezolutat të miratuara nga Komiteti i Ministrave.
Komisioneri luan një rol mbështetës e kryesisht parandalues duke kryer funksione të ndryshme nga ato të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe organeve të bazuara në traktate. Komisioneri nuk ka pushtet ligjor, por jep këshilla dhe informacion rreth mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe rreth parandalimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Termat e referencës së Komisionerit parashikojnë gjithashtu bashkëpunimin me institucione të tjera ndërkombëtare të përfshira në nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe mundësinë e veprimit për informacione të vlefshme që merren nga qeveritë, parlamentet kombëtare, Avokatët e Popullit të vendeve anëtare, apo institucione të tjera të ngjashme, nga individët dhe organizatat.
Duke punuar me organe të tjera të Këshillit të Evropës, Komisioneri mund t’i prezantojë një raport, rekomandim apo opinion për një çështje specifike Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare aty kur është e nevojshme. I pari që u pozicionua si Komisioner ishte Alvaro Gil-Robles (Spanjë), i cili u zgjodh nga Asambleja Parlamentare në shtator të vitit 1999.
Komisioneri në detyrë për të Drejtat e Njeriut është Thomas Hammarberg (Suedi), i cili u zgjodh në 5 tetor 2005.