coe_logo
  

 

 


:: Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut


Pyetje dhe përgjigje

Çfarë është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut?

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është një gjykatë ndërkombëtare me seli në Strasburg. Ajo përbëhet nga një numër gjyqtarësh i barabartë me numrin e Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të cilët kanë ratifikuar Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut – aktualisht 46 vende1. Gjyqtarët e Gjykatës qëndrojnë në cilësinë personale dhe nuk përfaqësojnë asnjë Shtet. Gjykata, për marrjen në shqyrtim të kërkesave, asistohet nga një Sekretari që përbëhet kryesisht nga avokatë nga të gjitha Shtetet anëtare (të cilët njihen gjithashtu si sekretarë ligjorë). Ata janë tërësisht të pavarur nga vendi i tyre i origjinës dhe nuk përfaqësojnë as kërkuesit dhe as Shtetet.

Çfarë është Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut?

Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një traktat ndërkombëtar i cili mund të nënshkruhet vetëm nga Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Konventa, e cila themelon gjykatën dhe përcakton mënyrën se si duhet të funksionojë ajo, përmban një listë me të drejtat dhe garancitë të cilat Shtetet kanë marrë përsipër ti respektojnë.

Çfarë bën Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut?

Gjykata zbaton Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyra e saj është të sigurojë që Shtetet të respektojnë të drejtat dhe garancitë e përcaktuara në Konventë. Ajo e realizon këtë duke shqyrtuar ankesat (të njohura si “kërkesa”) e depozituara nga individët dhe, ndonjëherë, nga Shtetet. Kur zbulon që një Shtet anëtar ka shkelur një ose më shumë nga këto të drejta dhe garanci, Gjykata nxjerr një vendim. Vendimet janë detyruese: vendet që kanë të bëjnë me vendimin janë të detyruar të pajtohen me të.

Kur mund të paraqes një kërkesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut?

Ju mund të paraqitni një kërkesë në Gjykatë nëse konsideroni se keni qenë personalisht dhe drejtpërdrejtë viktimë e shkeljes së të drejtave dhe garancive të përcaktuara në Konventë apo Protokollet e saj. Shkelja duhet të jetë kryer nga një nga Shtetet që kanë nënshkruar Konventën.

Cilat të drejta mbrohen nga Konventa dhe Protokollet e saj?

Konventa mbron, në veçanti:
  • të drejtën për jetën;
  • të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor në çështjet civile dhe penale;
  • të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare;
  • lirinë e shprehjes;
  • lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe e fesë;
  • të drejtën për një zgjidhje efektive;
  • të drejtën për të gëzuar pasurinë; dhe
  • të drejtën për të votuar dhe për të kandiduar në zgjedhje.
Çfarë ndalojnë Konventa dhe Protokollet e saj?

Konventa ndalon, në veçanti:
  • torturën dhe trajtimin apo dënimin çnjerëzor dhe poshtërues;
  • dënimin arbitrar dhe të paligjshëm
  • diskriminimin në gëzimin e të drejtave dhe lirive të përcaktuara nga Konventa;
  • dëbimin e shtetasve ose refuzimin e hyrjes së tyre, nga një Shtet,
  • dënimin me vdekje; dhe
  • dëbimin kolektiv të të huajve.

Çfarë kushtet duhet të plotësoj për të paraqitur një ankesë në Gjykatë?

Cilat janë kushtet që lidhen personalisht me ju?
  • Nuk është nevoja të jeni qytetar i njërit prej Shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Shkelja për të cilin ju ankoheni thjesht duhet të jetë kryer nga një prej Shteteve që kanë nënshkruar Konventën brenda “juridiksionit” të saj, që zakonisht nënkupton brenda territorit të saj.
  • Ju mund të jeni një individ apo një subjekt ligjor, si një kompani apo shoqatë.
  • Ju, personalisht duhet të jeni viktimë e drejtpërdrejtë e shkeljes për të cilën parashtroni një ankesë. Ju nuk mund të bëni një ankesë të përgjithshme për një ligj apo masë, sepse, për shembull, nuk ju duket i drejtë; dhe as nuk mund të ankoheni në emër të personave të tjerë (vetëm nëse ata janë të identifikuar qartë dhe ju jeni përfaqësuesi i tyre).
A ka ndonjë kusht që duhet plotësuar paraprakisht në gjykatat kombëtare?
  • Po. Ju duhet të keni përdorur të gjitha shkallët gjyqësore në Shtetin përkatës që mund të kishin zgjidhur çështjen për të cilën parashtroni ankesë (zakonisht, kjo nënkupton ankimimin në gjykatën e duhur, e ndjekur nga apeli, aty ku aplikohet, madje edhe një apel të mëtejshëm në një gjykatë më të lartë siç mund të jetë gjykata e lartë, nëse një e tillë ekziston).
  • Por nuk është e mjaftueshme vetëm përdorimi i këtyre shkallëve gjyqësore. Për këtë ju duhet të keni ngritur akuzat tuaja (që do të thotë, shkeljet e Konventës mbi bazën e së cilës po parashtroni një ankesë).
  • Ju keni vetëm gjashtë muaj nga data e vendimit përfundimtar në nivel kombëtar (në përgjithësi vendimi i gjykatës më të lartë) për të paraqitur kërkesën. Pas kësaj periudhe kërkesa juaj nuk mund të pranohet nga Gjykata.
Kundër kujt mund të parashtroj një kërkesë?
  • Kundër një ose më shumë Shtetesh të lidhura nga Konventa të cilët, sipas jush, ka/kanë (nëpërmjet një ose më shumë veprimesh apo shkeljesh që ju prekin direkt) dhunuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
  • Masa apo masat, për të cilat ankoheni, duhet të jenë marrë nga një ose më shumë autoritete publike në Shtetin(et) përkatës/e (për shembull një gjykatë ose një autoritet administrativ).
  • Gjykata nuk shqyrton ankesat kundër individëve apo institucioneve private, si kompanitë tregtare.
Për çfarë mund të ankoheni?
  • Ankesa juaj duhet të lidhet me një nga të drejtat e përcaktuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Shkeljet e parashtruara mund të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh si: tortura dhe keqtrajtimi i të burgosurve; ligjshmëria e dënimit; gjykimet e shkurtuara në gjyqet civile dhe penale; diskriminimi në ushtrimin e një të drejte; të drejtat e prindërve të fëmijëve të birësuar, respekti për adresën dhe korrespondencën; kufizimet në shprehjen e opinionit apo dhënien dhe marrjen e informacionit; lirinë për të marrë pjesë në një tubim apo demonstratë; dëbimin jashtë vendit dhe ekstradimin; konfiskimin e pronës; dhe shpronësimin.
  • Ju nuk mund të aplikoni për shkelje të ndonjë instrumenti tjetër ligjor, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut apo Karta e të Drejtave Themelore, përveç Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Si duhet të paraqes një kërkesë në Gjykatë nëse e konsideroj veten viktimë të një shkeljeje të Konventës?


Duke dërguar një letër në Gjykatë me hollësi të qarta të ankimit tuaj ose duke plotësuar formën e aplikimit 2 dhe duke e dërguar atë në adresën e mëposhtme:

The Registrar
European Court of Human Rights
Council of Europe
F-67075 Strasbourg Cedex


  • Ju mund të shkruani në një nga gjuhët zyrtare të Gjykatës (anglisht dhe frëngjisht), ose në një nga gjuhët e Shteteve të cilët kanë ratifikuar Konventën.
  • Nëse dërgoni kërkesën me faks, duhet të dërgoni gjithashtu edhe konfirmimin e shkruar me anë të postës.
  • Mos shkoni personalisht në Strasburg për të deklaruar çështjen tuaj. Çështja juaj nuk do të shqyrtohet më shpejt dhe nuk do të merrni ndonjë këshillë ligjore.
  • Sekretaria mund t’ju kërkojë dokumente shtesë, informacion ose sqarime në lidhje me ankesat tuaja.
  • Sapo të merrni formën e aplikimit, duhet ta plotësoni me kujdes dhe në mënyrë të kuptueshme dhe ta dërgoni sa më shpejt të jetë e mundur. Ajo duhet të përmbajë:
  • Një përmbledhje të shkurtër të fakteve dhe ankimeve tuaja;
  • Një tregues për të drejtat e Konventës që mendoni se janë shkelur;
  • Shkallët gjyqësore të cilat keni ndjekur;
  • Kopje të vendimeve të dhëna, në rastin tuaj, nga të gjitha autoritetet publike përkatëse (këto dokumente nuk kthehen më, ndaj duhet të dërgoni vetëm kopjet); dhe
  • Nënshkrimin tuaj si kërkues, apo nënshkrimin e përfaqësuesit tuaj.
  • Nëse nuk dëshironi që identiteti juaj të zbulohet, duhet të njoftoni Gjykatën menjeherë, duke dhënë arsyet. Kryetari i Gjykatës do të përcaktojë nëse kërkesa juaj është e justifikuar.
  • Në këtë faze të proçedurës nuk është nevoja të përfaqësoheni nga një avokat. Megjithatë, nëse dëshironi të parashtroni një kërkesë në Gjykatë me anë të një përfaqësuesi, duhet të dërgoni me formularin e kërkesës edhe autorizimin për të vepruar në emrin tuaj.

Cilat janë fazat kryesore të proçedurave:

  • Çështja juaj do të shqyrtohet pa pagesë.
  • Ju duhet të përballoni vetë shpenzimet tuaja (si pagesa e avokatit apo shpenzimet që lidhen me hetimin dhe korrespondencën).
  • Pasi të jetë dërguar kërkesa, ju mund të aplikoni për ndihmë ligjore. Ndihma ligjore nuk jepet automatikisht dhe dhënia e saj nuk bëhet menjëherë, por në një fazë më të vonshme të proçedurave.
  • Proçedurat zhvillohen me shkrim. Si pasojë, nuk ka seancë dëgjimore dhe ju do të njoftoheni me shkrim për çdo vendim të marrë nga Gjykata.
Si kryhen proçedurat?

  • Gjykata, në rradhë të parë, duhet të shqyrtojë nëse kërkesa juaj është e pranueshme. Kjo nënkupton se çështja duhet të përputhet me kërkesa të përcaktuara nga Konventa ( shih “Çfarë kushtet duhet të plotësoj për të paraqitur një ankesë në Gjykatë?” në faqen 3). Nëse nuk plotësohen kushtet, kërkesa juaj nuk do të pranohet. Nëse keni bërë disa ankime, Gjykata mund të shpallë një ose më shumë prej tyre si të pranueshme dhe të hedhë poshtë të tjerat.
  • Nëse kërkesa juaj ose një nga kërkesat tuaja shpallet e papranueshme, ky vendim është përfundimtar dhe nuk mund të kthehet.
  • Nëse kërkesa juaj ose një nga kërkesat tuaja shpallet e pranueshme, Gjykata do të përkrahë palët (ju dhe Shtetin përkatës) të arrijnë në një marrëveshje miqësore. Të dy palët do të ftohen për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes. Nëse nuk arrihet asnjë zgjidhje miqësore, Gjykata do të shqyrtojë themelin e çëwshtjes – që do të thotë se ajo do të përcaktojë nëse ka pasur ose jo shkelje të Konventës.
Sa kohë duhet të prisni?

Duke pasur parasysh grumbullimin aktual të çështjeve, ju duhet të prisni një vit përpara se Gjykata të proçedojë me shqyrtimin fillestar të kërkesës suaj. Disa kërkesa mund te trajtohen si urgjente dhe të trajtohen me përparësi, veçanërisht kur kërkuesi deklarohet se është në rrezik të mundshëm për jetën.

Çfarë mund të përfitoj nga kërkesa e paraqitur në Gjykatë?

Nëse Gjykata konstaton se ka pasur shkelje, mund t’ju japë “vetëm shpërblim të drejtë”, një shumë parash si kompesim për forma të ndryshme të dëmit. Gjykata mundet gjithashtu t’i kërkojë Shtetit përkatës të dëmshpërblejë shpenzimet që keni kryer në paraqitjen e çështjes suaj. Nëse Gjykata konstaton se nuk ka pasur shkelje, ju nuk duhet të paguani shpenzime shtesë (si ato të kryera nga Shteti përgjegjës).

Shënim:
  • Gjykata nuk ka fuqi mbi vendimet në nivel kombëtar apo të anullojë ligjet kombëtare
  • Gjykata nuk është përgjegjëse për ekzekutimin e vendimeve të saj. Sapo të ketë dhënë vendimin, përgjegjësia kalon te Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i cili ka për detyrë të mbikqyrë ekzekutimin dhe të sigurojë që çdo kompensim është paguar.

Çfarë nuk të bëjë për ju Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut?
  • Gjykata nuk vepron si një gjykatë apeli vis-à-vis gjykatave kombëtare; ajo nuk rishqyrton çështjet, ajo nuk mund të kthejë mbrapsht, ndryshojë, apo rishikojë vendimet e tyre.
  • Gjykata nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejtë në emrin tuaj me autoritetin ndaj të cilit ju ankoheni.
  • Gjykata nuk do t’ju ndihmojë të gjeni apo paguani një avokat për të përgatitur kërkesën tuaj.
  • Ju nuk mund të ankoheni për shkelje të ndonjë instrumenti ligjor tjetër përveç Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut apo Karta për të Drejtat Themelore. Ju nuk duhet të ngatërroni, për shembull, Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut me Gjykatën e Drejtësisë të Komuniteteve Evropiane, e cila e ka selinë në Luksemburg.
  • Gjykata nuk mund t’ju japë informacion mbi dispozitat ligjore në fuqi në Shtetin ndaj të cilit ju ankoheni.

Për informacion të mëtejshëm rreth Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mund të shikoni në faqen tonë të internetit:
www.coealb.org

Ju mund të kontaktoni Gjykatën në adresën e e-mailit të mëposhtme:
webmaster@echr.coe.int

Reforma e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Data
1950 Miratohet Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
1953 Konventa hyn në fuqi
1954 Ngrihet Komisioni Evropian për të Drejtat e Njeriut
1959 Themelohet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut
1998 Komisioni me kohë të pjesshme dhe Gjykata shkrihen duke formuar një Gjykatë me kohë të plotë
2000 Konferenca Ministrore në Romë përcakton planin e veprimit të reformës
2004 Projekt protokolli i ndryshuar i paraqitur për miratim në Sesionin Ministror në maj


Përse nevojitet reforma?

Numri i kërkesave të mbledhura në vitin 2003 ishte rreth 39000, që përbën një rritje prej 115% krahasuar me vitin 1998 (18164). Shtrirja e Këshillit të Evropës në 46 Shtete, një zonë me popullsi prej rreth 800 milionë banorësh, rezultoi në mënyrë të pashmangshme në një mbingarkesë me numrin e çështjeve të marra në shqyrtim nga Gjykata. Kjo nënkupton që çështjet mund të kërkojnë vite për tu marrë në shqyrtim dhe për të marrë vendimin, madje edhe disa raste që përfshijnë padi për shkelje veçanërisht të rënda të të drejtave të njeriut.


Cilët janë problemet kryesore të identifikuara?

Problemi kryesor i përgjithshëm dhe thelbësor duhet gjetur në nivel kombëtar: ky është zbatimi i papërshtatshëm i garancive të Konventës së bashku me një mungesë zgjidhjesh efektive në shumë vende.

Gjykata e Strasburgut ballafaqohet me tre vështirësi kryesore:

  • Sasinë e rasteve “pa shpresë”, të cilat llogariten të jenë qartësisht të papranueshme në mbi 80% të kërkesave të depozituara;
  • Të ashtuquajtura, raste të përsëritura, seritë e kërkesave që rrjedhin nga i njëjti difekt strukturor në nivel kombëtar, zgjatja e proçedurave gjyqësore është një shembull që haset në shumë vende;
  • Si rezultat i dy të parave, grumbullimi në rritje i rasteve thelbësore që trajtojnë çështje të rënda ose të reja.

Së fundmi, lind pyetja se sa efektive janë ekzekutimet e vendimeve të Gjykatës, me fjalë të tjera, se sa shpejt Shtetet marrin masa në nivel kombëtar për të korrigjuar një problem të identifikuar nga vendimet e Gjykatës. Mosarritja e kësaj rezulton në rritjen e numrit të çështjeve që vijnë në Strasburg.

Cilat janë zgjidhjet kryesore që propozohen?

Për zbatim më efektiv në nivel kombëtar: është propozuar që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës të miratojë tre rekomandime për trajnimin dhe arsimin universitar në lidhje me verifikimin e përputhshmërisë me Konventën të legjislacionit dhe praktikës mbi përmirësimin e zgjidhjeve në nivel kombëtar.

Për një funksionim më efikas të Gjykatës së Strasburgut, projekt Protokoll Nr.14 i Konventës bën ndryshimet kryesore të mëposhtme:


  • Çështjet qartësisht të papranueshme: vendimet e papranueshmërisë në këto çështje, të cilat tani merren nga një komitet prej tre gjyqtarësh, do të mund të merren nga një gjyqtar, i asistuar nga referenti jo-gjyqësor. Ideja është të rrisë kapacitetin filtrues të Gjykatës, kapacitetin e saj për të filtruar çështjet “pa shpresë”.
  • Çështjet e përsëritura: kur çështja është në seritë që rrjedhin nga i njëjti difekt në nivel kombëtar, propozimi është që ajo të mund të shpallet e pranueshme dhe vendimi për të të merret nga një komitet prej tre gjyqtarësh (në vend të dhomës prej shtatë gjyqtarësh siç është aktualisht) sipas një proçedure përmbledhëse të thjeshtuar.
  • Kriteri i ri i pranueshmërisë: me qëllim që t’i japë Gjykatës një shkallë më të lartë fleksibiliteti, është propozuar një kusht i ri për pranueshmërinë (duke iu shtuar kushteve aktuale, si konsumimi i zgjidhjeve në nivel kombëtar, kufiri prej gjashtë muajsh). Sipas këtij kushti, Gjykata mund të shpallë të papranueshme kërkesat kur kërkuesi nuk i është nënshtruar ndonjë disfavori të konsiderueshëm duke qënë se “respekti pë të drejtat e njeriut” nuk kërkon që Gjykata të futet plotësisht në çështje dhe të shqyrtojë cilësitë e saj.

Për një ekzekutim më të efektshëm të vendimeve të Gjykatës

Sipas projekt Protokollit, Komiteti i Ministrave do të fuqizohet, nëse vendos me shumicë me dy të tretat, që të paraqesë proçedurat në Gjykatë nëse një Shtet refuzon të përmbushë një vendim. Komiteti i Ministrave do të ketë gjithashtu një kompentencë të re për t’i kërkuar Gjykatës interpretim të një vendimi. Kjo bëhet për për të ndihmuar Komitetin e Ministrave në detyrën e tij për mbikqyrjen e ekzekutimit të vendimeve dhe veçanërisht në përcaktimin e masave të nevojshme për përmbushjen e një vendimi.

Masa të tjera

Masa të tjera në projekt Protokoll përfshijnë ndryshimin e mandatit të gjyqtarëve nga gjashtë vjet, me mundësi rinovimi që është aktualisht në një periudhë të vetme nëntë vjeçare dhe një kërkesë me synim një pranim të mundshëm të Konventës nga Bashkimi Evropian.
  1. Mbetet e hapur lista e Shteteve që kanë ratifikuar Konventën. Megjithatë, jo të gjitha Shtetet anëtare kanë ratifikuar të gjitha Protokollet e Konventës (instrumenta që krijojnë të drejta shtesë). Më tepër informacion mund të gjendet në faqen e Internetit.
  2. Forma e kërkesës mund të gjendet në faqen e Internetit.

 



Last updated 2006-10-16 10:28:00

 
   © CoE Information Office, Tirana 2004 | Graphics and Programming by CPR Production   top