|

:: Këshilli i Evropës dhe OJQ-të
Mbështetja dhe bashkëpunimi i Këshillit të Evropës me OJQ-të dhe shoqërinë civile
Puna e Këshillit të Evropës përfiton shumë nga kontaktet dhe bashkëpunimi me elementët dinamikë të shoqërisë, si OJQ-të. Një nga sfidat kryesore me të cilat po përballet Organizata është të forcojë OJQ-të dhe shoqërinë civile në shtetet e reja anëtare dhe të zhvillojë demokracinë gjithë-pjesëmarrëse në baza pan-evropiane. Programet e bashkëpunimit të Këshillit të Evropës mbështeten në OJQ-të partnere dhe fokusohen në reformën demokratike.
Konferenca e Organizatave Jo-Qeveritare Ndërkombëtare (OJQN)
Konferenca e Organizatave Jo-Qeveritare Ndërkombëtare të Këshillit të Evropës është e përbërë nga OJQN-ë me status pjesëmarrësi në Këshillin e Evropës. Nëpërmjet këtij statusi, Këshilli i Evropës përfshin OJQN-ë në veprimtaritë ndërkombëtare dhe nxit dialogun e anëtarëve të parlamentit dhe autoriteteve lokale dhe rajonale me shoqatat për çështje të rëndësishme sociale.
Status konsultativ dhe pjesëmarrës
OJQN-të kanë pasur mundësinë të përftojnë statusin konsultativ në organizatë që në vitin 1952. Në nëntor 2003, kjo mundësi u promovua në status pjesëmarrësi për OJQ-të ndërkombëtare, duke njohur rëndësinë e tyre në politikë-bërjen e Këshillit të Evropës. Ky status udhëhiqet nga Rezoluta e Komitetit të Ministrave (2003)8. OJQN-të që dëshirojnë të përfitojnë një status të tillë duhet që veçanërisht të jetë përfaqësuese në fushën(at) e kompetencës së tyre; ato duhet të kenë objektiva të njëjta me ato të Këshillit të Evropës dhe të kontribuojnë aktivisht në punën e tij. Deri më sot rreth 370 OJQN-ë e gëzojnë një status të tillë. Ato formojnë Konferencën e OJQN-ve të Këshillit të Evropës që mblidhet një herë në vit për të vendosur për linjat e përgjithshme të veprimit.
Komiteti Ndërlidhës
Një Komitet Ndërlidhës i zgjedhur nga Konferenca mblidhet rregullisht për të nxitur dialogun e përhershëm dhe bashkëpunimin midis Sekretariatit të Këshillit e OJQN-ve.
Ai ruan lidhje të ngushta me organet politike të Këshillit – Komitetin e Ministrave, Asamblenë Parlamentare dhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale. Presidenti i Konferencës së OJQN-ve ftohet rregullisht që të shkëmbejë pikëpamjet me Komitetin e Ministrave. Në fillim të 2003-it, OJQN-të organizuan një konferencë të përbashkët me Kongresin mbi “OJQ-të dhe demokracinë lokale e rajonale” që çoi në vazhdimin e punës së ndërmarrë në Kongres. Tani, OJQN-të po përgatiten për një veprimtari të përbashkët me Asamblenë Parlamentare “Për një Evropë Sociale – Lufta kundër Përjashtimeve””.
Grupimet
OJQN-të me status pjesëmarrësi kanë krijuar gjithashtu dhjetë Grupime tematike, për vit, gjatë sesioneve të Asamblesë Parlamentare (Të Drejtat e Njeriut, Barazia Gjinore, Karta Social Evropiane dhe Politikat Sociale, Varfëria Ekstreme dhe Kohezioni Social, Edukimi dhe Kultura, Shoqëria Civile dhe Demokracia në Evropë, Shëndeti, Peizazhet dhe Mjedisi, Qytetet, Dialogun Veri-Jug dhe Solidariteti). Grupimet mbajnë një dialog të rregullt me Këshillin e Evropës, duke marrë informacionin më të fundit rreth veprimtarive të Këshillit e duke kontribuar me kapacitetet e tyre për vënien e tyre në zbatim. Shembujt e kohëve të fundit përfshijnë bashkëpunimin midis Grupit të të Drejtave të Njeriut dhe Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës mbi rolin e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, apo mobilizimin e Grupit për Edukimin dhe Kulturën për të mbështetur Vitin Evropian të Qytetarisë nëpërmjet Edukimit 2005.
Format e ndryshme të bashkëpunimit
Bashkëpunimi me OJQN-të merr forma të ndryshme, që nga konsultimet e thjeshta deri në bashkëpunimin e plotë për projekte specifike. Ekspertët e OJQN-ve mund të marrin pjesë në projekte të ndryshme si konsulentë; ata mund të kontribuojnë në punën e komiteteve ndërqeveritare në baza të institucionalizuara apo ad hoc, të përgatisin deklarata për Sekretarin e Përgjithshëm, të bëjnë deklarata gojore apo me shkrim për komitetet e Asamblesë Parlamentare dhe të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe të mbajnë fjalime në seminare dhe takime të tjera që organizohen nga Këshilli i Evropës. Konferenca e Ministrave Evropianë që janë përgjegjës për Politikën e Mas Medias në Kyiv, në mars 2005 u parapri nga Forumi i OJQ-ve. OJQ-të raportuan mbi konstatimet e tyre në Konferencën Ministrore. OJQN-të që gëzojnë status pjesëmarrësi shpërndajnë gjithashtu informacion rreth synimeve dhe veprimtarive të Këshillit të Evropës në komunitetet e tyre.
Në nëntor 2003, statusi i pjesëmarrësit për OJQ-të ndërkombëtare u shtuan nga një status partneriteti midis Këshillit të Evropës dhe OJQ-ve kombëtare (Rezoluta (2003)9) për të reflektuar mbi rolin e tyre jetësor në forcimin e një shoqërie demokratike dhe të hapur në të gjitha shtetet anëtare dhe mbi kontributin e tyre aktiv e pozitiv për programin e punës së Këshillit të Evropës.
Pas zgjerimit të tij në vitin 1990, Këshilli i Evropës ka zhvilluar një numër të gjerë veprimtarish bashkëpunimi dhe asistence për të nxitur normat dhe standardet e tij në shtetet aplikante dhe ato të reja anëtare. Shumë nga këto veprimtari përfshijnë shoqatat e profesionistëve dhe OJQ-të kombëtare me qëllim që të forcohet shoqëria civile dhe të reflektohet mbi progresin e saj në demokracitë e reja.
Mbështetja e Shoqërisë Civile
Programet për Shoqërinë Civile të Këshillit të Evropës përmbajnë tre elementë kryesorë, d.m.th., Iniciativat e Shoqërisë Civile, Programi i Lidership-it Demokratik dhe Shkollat e Studimeve Politike.
Kjo strategji nxit sektorë të ndryshëm të shoqërisë civile për të marrë pjesë aktivisht në forcimin e demokracisë pluraliste në vendet e tyre dhe për të kontribuar për mirëkuptim dhe pajtim të përbashkët në ato vende të Evropës që janë të ndikuara nga konfliktet. Ajo bazohet në aktivitetet plotësuese të ndërmarra nga OJQ-të dhe Këshilli i Evropës dhe mbështetet nga Konferenca e OJQN-ve të Këshillit të Evropës.
Iniciativat e shoqërisë civile
Mbështetja për Iniciativat e Shoqërisë Civile fokusohet në përforcimin e rolit të OJQ-ve në një demokraci pluraliste duke rritur dialogun dhe bashkëpunimin në çështjet e politikave midis OJQ-ve dhe autoriteteve publike, dhe duke forcuar përgjegjshmërinë dhe transparencën demokratike duke përfshirë shoqërinë civile në proceset politike. Këto veprimtari kryhen në bashkëpunim me OJQ-të lokale partnere apo Zyrat e Informacionit të Këshillit të Evropës në shtetet anëtare. Në të gjitha shtetet anëtare janë organizuar seminare trajnimi duke përfshirë edhe ato aplikante që nga viti 1990. Këto Iniciativa të Shoqërisë Civile fokusohen, ndërmjet të tjerash, në ndërveprimin midis OJQ-ve dhe autoriteteve lokale dhe në dialogun ndërkomunitar e ndërfetar. Prioritetet aktuale gjeografike përfshijnë Evropën Jug-Lindore, Kaukazin Jugor, Bjellorusinë, Qipron, Moldavinë dhe Federatën Ruse.
Programi i lidership-it demokratik
Objektivi i Programit të Lidership-it Demokratik është që të zhvillojë kompetencën politike dhe aftësitë e duhura të politikanëve të rinj, gazetarëve dhe drejtuesve të OJQ-ve (me moshë nga 18-27 vjeç). Programi gjithashtu synon të krijojë besimin midis liderëve të rinj nga shoqëri të ndryshme dhe komuniteteve etnike. Këshilli mbështet rrjetin e krijuar nga marrëdhëniet personale dhe ato bashkëpunimi në organizimin e projekteve të përbashkëta, si dhe ofron kurse vijuese trajnimi dhe mbështetje. Programi është një element i rëndësishëm në projektet e Këshillit për të forcuar shoqërinë civile dhe demokracinë pjesëmarrëse, dhe është një mjet për të nxitur angazhimin e brezave të rinj për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, duke mbështetur stabilitetin demokratik në nivel kombëtar, rajonal në një kontekst më të gjerë evropian. Me një shembull, ne duhet të përmendim dy seminaret e fundit prezantuese të programit mbi menaxhimin e konfliktit dhe aftësitë drejtuese për një grup turk dhe një grup nga Ukraina e Bjellorusia. Studentët e diplomuar të programit vijnë nga 16 shtete të ndryshme. Rrjeti është i zhvilluar veçanërisht mirë në Evropën Jug-Lindore dhe në Kaukazin Jugor.
Shkolla e studimeve politike
Shkollat e Studimeve Politike janë iniciativa të shoqërisë civile. Ky është një rrjet shkollash në mbarë Evropën qendrore e lindore për të nxitur vlerat evropiane midis një brezi të ri drejtuesish. Ato organizojnë trajnime të mëtejshme dhe zhvillimin në praktikën demokratike, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës për ekzekutivët e rinj dhe vendimmarrësit. Shkollat e Studimeve Politike janë “shkolla fleksibël jashtë mureve” duke ofruar një seri seminaresh një-javore në shtetet përkatëse, me seminare përmbyllëse në Këshillin e Evropës në Strasburg. Programi i Shkollave mbulon të gjitha aspektet e drejtimit të një shoqërie pluraliste, demokratike, të tregtisë së lirë – duke përfshirë zgjedhjet, luftën kundër korrupsionit, menaxhiminin e konfliktit dhe zhvillimin e medias së pavarur e pluraliste. Ato vënë theksin mbi aspektet praktike të demokracisë, kështu që paneli mësimdhënës përfshin individë me përgjegjësi specifike në institucionet demokratike në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe akademikë dhe drejtues OJQ-ësh. Pjesëmarrësit në Shkollat e Studimeve Politike janë drejtues të rinj politik (Anëtarë parlamenti, anëtarë të organeve rajonale e lokale), gjyqtarë, avokatë, gazetarë, biznesmen dhe biznesmene dhe aktivistë të shoqërisë civile që janë përfshirë tashmë në çështjet publike dhe do të dëshirojnë të shtrijnë njohuritë dhe përvojën e tyre. Ata janë mesatarisht në moshën nën 35 vjeç.
Shkolla e parë u themelua në Moskë në 1993, e dyta në Tblisi (Gjeorgji). Në 2002, Këshilli i Evropës mblodhi së bashku partnerët civilë lokalë për të krijuar një rrjet të Shkollave të Studimeve Politike në Evropën Jug-Lindore; tashmë ka shkolla në Beograd, Çisinau, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Sofje dhe Zagreb dhe shtrirja në Bukuresht e Tiranë është duke u përgatitur.
Përfshirja e OJQ-ve në zbatimin e programit të veprimtarive të Këshillit të Evropës shkon përtej iniciativave që synojnë forcimin e shoqërisë civile të sipërpërmendur:
- Zyrat e Informacionit e të Programeve të Këshillit të Evropës në Evropën qendrore e lindore mbështeten në bashkëpunimin me OJQ-të lokale për të zbatuar veprimtari specifike;
- OJQ-të Rinore kanë rolin e tyre në menaxhimin e strukturave të Sektorit të Rinisë së Këshillit të Evropës dhe përfitojnë nga një shumëllojshmëri veprimtarish trajnimi;
- OJQ-të janë pjesë e strukturave vendimmarrëse të Qendrës Evropiane për Ndërvarësi Globale dhe Solidaritet në Lisbonë (Qendra Veri-Jug e Këshillit të Evropës), dhe janë të përfshira aktivisht në zbatimin e aktiviteteve të saj.
Puna për Përcaktimin e Standardeve të Këshillit të Evropës në Lidhje me OJQ-të
Puna për përcaktimin e standardeve të Këshillit të Evropës shtrihet duke përfshirë si OJQ-të kombëtare, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Konventa Evropiane për Njohjen e Personalitetit Ligjor të Organizatave Jo-Qeveritare Ndërkombëtare të vitit 1986 (Konventa 124) është deri më sot i vetmi instrument ndërkombëtar ligjor me fuqi detyruese për çështjen në fjalë. Deri më sot ajo është ratifikuar nga 9 shtete anëtare (Austria, Belgjika, Franca, Greqia, Portugalia, Sllovenia, Zvicra, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Mbretëria e Bashkuar) dhe është nënshkruar nga dy të tjera, Qipro dhe Holanda.
Një grup ekspertësh i Këshillit në Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve Ligjore ka miratuar Parimet Themelore mbi Statusin e OJQ-ve në Evropë në korrik 2002. Ata u morën me çështje të tilla si personaliteti ligjor i OJQ-ve, statutet e tyre, menaxhimi, ngritja e fondeve, transparenca dhe përgjegjshmëria. Këto parime plotësojnë Konventën 124 dhe japin udhëzime për shtetet që janë duke reformuar aktualisht legjislacionin e tyre mbi OJQ-të dhe kontribuojnë në harmonizimin e sistemeve ligjore evropiane në këtë fushë. Ekspertët e emëruar nga Komiteti Ndërlidhës i OJQ-ve ndërkombëtare gëzojnë status pjesëmarrësi në Këshillin e Evropës në lidhje me këtë punë.
Gjithashtu, Këshilli i Evropës ofron asistencë nga ekspertë në fushën e legjislacionit të OJQ-ve për qeveritë e interesuara të shteteve anëtare.
Last updated 2006-10-16 02:42:00 |