:: Çmimet Evropiane
Çmimi Evropian i të Drejtave të Njeriut
Në 1980, Komiteti i Ministrave krijoi Çmimin e të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës si mirënjohje për kontributin e shquar në kauzën e të drejtave të njeriut, siç nderohet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Komiteti i Ministrave jep çmimin në Strasburg çdo tre vjet për një individ, grup personash, institucion ose organizatë jo-qeveritare nga një listë e prezantuar nga Asambleja Parlamentare. Çmimi konsiston në një medalje të artë dhe një çertifikatë ku lavdërohet kontributi i fituesit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Çmimet Evropiane për qytetet
Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Mjedisin, Planifikimin Rajonal dhe Autoritetet Lokale jep çmime duke nderuar qytete dhe bashki si mirënjohje për aktivitetet e tyre Evropiane. Ato mund të cilësohen për një nga titujt e mëposhtëm: Diplomën Evropiane, Flamurin e Nderit, Pllaka e Nderit ose Çmimin Evropian.
Çmimi Evropian
Çmimi Evropian që jepet çdo vit që nga viti 1955 është titulli më i lartë që mund ti jepet një bashkie për kontributin e saj në bashkëpunimin Evropian. Autoriteti fitues zgjidhet nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare për Mjedisin, Planifikimin Rajonal dhe Autoritetet Lokale dhe merr një trofe (që mbahet për një vit), një medalje bronzi dhe një diplomë. Bashkia fituese gjithashtu merr rreth 7 600 euro për ti shpenzuar në parim për një vizitë studimore që mund të bëjnë disa nga qytetarët e rinj të saj.
Diploma Evropiane e Zonave të Mbrojtura
Komiteti i Ministrave jep këtë diplomë, krijuar në 1965, nën këshillën e Komitetit për Aktivitetet e Këshillit të Evropës në fushën e Diversitetit Biologjik dhe të Peisazheve. Ajo i jepet parqeve natyrore, rezervave ose vendeve me rëndësi ndërkombëtare që përmbushin kritere të caktuara për ruajtjen e trashëgimisë natyrore duke marrë parasysh edhe vlerën e tyre shkencore, kulturore dhe/ose argëtuese.
Këshilli sponsorizon zonën për një periudhë pesëvjeçare e cila mund të shtrihet për periudha të tjera pesëvjeçare pas vlerësimeve të sakta të bëra në terren nga specialistët.
Çmimi i Këshillit të Evropës për Muzeumet
I krijuar në 1977, ky çmim vjetor nderon një muzeum pasi është gjykuar se ka dhënë një kontribut unik në ruajtjen e trashëgimisë Evropiane. Çmimi konsiston në një statujë bronzi që dhurohet nga artisti Spanjoll Joan Miró dhe një shumë prej 5 000 eurosh. Muzeumi fitues zgjidhet nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare për Kulturën dhe Arsimin nga muzeumet e përzgjedhur në listën përfundimtare nga ana e Komitetit të Çmimit Vjetor të Muzeumit Evropian.
Prix Evropa për programet televizive
Prix Evropa jepet çdo vit për programet më të mira televizive në kategoritë “Fiction“, “Non-fiction“, “Current Affairs – Çështjet Aktuale “ “IRIS“ (programe ndërkulturore).
Konkursi organizohet nga Këshilli i Evropës dhe institucione të tjera Evropiane. Ai ka si synim të nxisë krijimtarinë dhe diversitetin e kulturave kombëtare, rajonale dhe lokale dhe të mbështesë transmetimet e cilësive të larta.
Informacion i mëtejshëm është i disponueshëm në:
European Cultural Foundation (Fondacioni Kulturor Evropian)
Jan Van Goyenkade 5
NL-1075 HN Amsterdam
Tel : (31) 20 676 02 22
Fax : (31) 20 675 22 31
E-mail: PRIX-EUROPA@t-online.de
http://www.prix-europa.de
Evropa në Shkollë – Europe at School
Ky është një eveniment vjetor në të cilin i jepen çmime për esetë dhe pikturat më të mira mbi një temë Evropiane fëmijëve të shkollave. Qëllimi i konkursit është që të interesojë të rinjtë e moshës shkollore në çështjet Evropiane. Që nga viti 1986 “Evropa në Shkollë – Europe at School“ ka qenë një aktivitet i përbashkët i Këshillit të Evropës, Komisionit të Komuniteteve Evropiane dhe Fondacionit Kulturor Evropian (Amsterdam). Çmimet përfshijnë një shumë parash, një udhëtim të veçantë, medalje, libra, etj.
Për informacione të mëtejshme, ju lutem kontaktoni:
“Europe at School“
Co-ordinating Unit
Europa-Zentrum
Bachstraße 32
D-53115 Bonn
Tel.: (49) 228 72 900 40
Fax : (49) 228 72 900 90
E-mail: eas-cu@t-online.de
http://www.europe-at-school.org