“Eliminimi i pengesave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore vendase / Sigurimi i zbatimit efektiv të vendimeve të gjykatave vendase.”
Ky projekt është ndërmarrë nga Departamenti i Ekzekutimit të Vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Kohëzgjatja e tij është 36 muaj, duke filluar që nga Janari 2009. Vendet ku do të zbatohet ky projekt janë gjashtë: Shqipëria, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Moldavia, Serbia dhe Ukraina. Projekti do të vihet në zbatim në bashkëpunim me institucionet kombëtare respektive, ministritë e drejtësisë dhe financave, gjykatat e larta, gjyqtarët dhe përmbaruesit. Kostoja totale e projektit është 1.249.907 Euro, të Fondit të Trustit të të Drejtave të Njeriut.
Ky projekt është brenda qëllimit kryesor të Fondit, që është mbështetja e vendeve anëtare për zbatimin Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) në nivel kombëtar, duke garantuar ekzekutimin e plotë dhe në kohë të vendimeve të gjykatave, nëpërmjet masave që luftojnë problemet e vazhdueshme të mosekzekutimit të këtyre vendimeve.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në Shqipëri, Azerbajxhan, Bosnje-Hercegovinë, Moldavi, Serbi dhe Ukrainë, duke ndihmuar këto shtete që të vendosin norma dhe procedura efektive për një ekzekutim më të mirë të vendimeve gjyqësore vendase.
Objektivat specifikë të projektit janë:
Objektivi 1. Identifikimi i pengesave të natyrës legjislative dhe praktike, të cilat pengojnë ekzekutimin e vendimeve të gjykatave vendase dhe hartimi i një plani veprimi.
Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet:
Organizimit të një tryeze të rrumbullakët më përfaqësuesit e institucioneve përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të gjashtë vendeve, për të identifikuar problemet specifike të secilit prej vendeve. (Një takim i përbashkët për të gjashtë vendet në fillim të projektit);
Organizimit të takimeve dypalëshe me institucionet vendase për të diskutuar çështjet e mbetura pezull prej reformave të ndërrmara në vendet respektive. (Nga një në secilin prej vendeve, gjithsej gjashtë);
Organizimit të një tryeze të rrumbullakët përfundimtare ku të identifikohet progresi i arritur në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. (Një takim i përbashkët për të gjashtë vendet në fund të projektit);
Organizimit të një seminari për t’u ofruar asistencë shteteve për të mbikëqyrur efektshmërinë e reformave të ndërmarra në nivel kombëtar, në mënyrë që të mund të bëhen përmirësime të mëtejshme në ligjet dhe procedurat respektive. (Një takim i përbashkët për të gjashtë vendet);
Objektivi 2. Përmirësimi i bashkëveprimit të institucioneve vendase që janë përgjegjëse për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet:
Analizës nga ana e ekspertëve të praktikave aktuale. (Nga një për secilin prej vendeve, gjithsej gjashtë);
Organizimit të takimeve midis institucioneve vendase dhe përfaqësuesve të Këshillit të Europës me qëllim koordinimin më të mirë të veprimeve dhe procedurave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. (Nga një në secilin prej vendeve, gjithsej gjashtë);
Hartimit të rekomandimeve për gjetjen e mekanizmave të koordinimit.
Objektivi 3. Përmirësimi i njohurive të nëpunësve përgjegjës mbi normat e vendosura nga Konventa Europiane për të Drejtat të Njeriut, në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore vendase, si edhe për rëndësinë dhe pasojat e mosekzekutimit.
Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet:
Organizimit të sesioneve të ndërgjegjësimit me funksionarë të rëndësishëm të institucioneve përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, me qëllim lehtësimin e adoptimit të një kulture të tolerancës zero ndaj mosekzekutimit të qëllimshëm të vendimeve të gjykatave. (Nga një në secilin prej vendeve, gjithsej gjashtë);
Organizimit të sesioneve të trajnimit për nëpunës të përzgjedhur, në varësi të problemeve specifike për çdo vend, duke përfshirë, por pa u kufizuar te gjyqtarët, prokurorët, përmbaruesit, punonjësit socialë dhe përfaqësuesit e ministrive të ndryshme, mbi kërkesat e KEDNJ në fushën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, si edhe për rëndësinë dhe pasojat e mosekzekutimit. (Nga tre deri në gjashtë gjithsej);
Përkthimit dhe shpërndarjes nëpunësve respektivë të vendimeve të GJEDNJ mbi mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore vendase, memorandumeve mbi ekzekutimin e vendimeve, studimeve të praktikave më të mira, me qëllim lehtësimin e reformave të nevojshme për t’u ndërmarrë nga institucionet vendase.
Objektivi 4. Rritja e aftësive të institucioneve vendase për të ndërmarrë reforma.
Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet ofrimit të ekspertizës teknike për çështje konkrete, ende të pazgjidhura nga institucionet vendase, të cilat mund të përfshijnë nevojën për marrjen e masave administrative ose rregulloreve të një karakteri të përgjithshëm. (Rreth dy ekspertiza/studime për çdo vend.)
Do të organizohen takime dypalëshe me institucione të veçanta që hasin vështirësi në adoptimin e masave të nevojshme për përmirësimin e procesit të ekzekutimit të vendimeve.
Të gjitha këto aktivitete janë të lidhura ngushtë dhe do të shërbejnë për të përforcuar punën e Komitetit të Ministrave në mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ. Si burim për verifikimin e progresit në adoptimin e masave të nevojshme, do të jenë vendimet e Komitetit të Ministrave në lidhje me të gjitha çështjet, si edhe Momorandumet, Rezolutat e Ndërmjetme apo Përfundimtare të miratuara për çështjet që janë në shqyrtim prej tij.
Menaxhimi i projektit
Menaxheri i projektit është i vendosur ne Strasburg, prej nga ku do të mbikëqyrë projektin, ndërsa koordinatorët me kohë të pjesëshme do të jenë të vendosur në Zyrat e Sekretariatit të Këshillit të Europës në vendet respektive.
Departamenti i Ekzekutimit të Vendimeve Gjyqësore të GJEDNJ do të ofrojë ekspertizën teknike të nevojshme, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh. Ekspertizë e veçantë do të ofrohet nga ekspertët që do të caktohen për një kohë të shkurtër, për çështjet që do të mbulohen dhe identifikohen nga Departamenti.