coe_logo
  

 

 


:: Komiteti i Ministrave

Komiteti i Ministrave është organi vendimmarrës i Këshillit të Evropës. Ai është i përbërë nga Ministrat e Punëve të Jashtme të të gjithë Shteteve anëtare, ose zëvendësit e tyre të përhershëm diplomatik në Strasburg. Ai funksionon si një organ qeveritar, ku mund të diskutohen në baza të barabarta përqasjet kombëtare ndaj problemeve me të cilat përballet shoqëria evropiane, dhe si një forum kolektiv ku formulohen përgjigjet mbarë evropiane ndaj sfidave të tilla. Në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare, Komiteti i Ministrave është mbrojtësi i vlerave themelore të Këshillit dhe monitoron se si i përmbushin detyrimet e tyre Shtetet anëtare.

:: Zëri i qeverive

Vendime dhe veprime
Komiteti i Ministrave vendos për veprimtaritë e Këshillit. Ai gjithashtu përcakton veprimet që duhen ndërmarrë në lidhje me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si dhe në lidhje me propozimet nga komitete të ndryshme ndërqeveritare e konferenca të ministrave të specializuar. Ai miraton programin e veprimtarive dhe buxhetin e Këshillit.

Dialogu
Diskutimet e ministrave mbulojnë të gjitha çështjet e interesit të përbashkët politik, përveç mbrojtjes: këto përfshijnë aspektet politike të integrimit evropian, duke zgjeruar bashkëpunimin, duke ruajtur institucionet demokratike e duke mbrojtur të drejtat e njeriut – me fjalë të tjera, të gjitha problemet që kërkojnë zgjidhje intensive pan-evropiane.

Një organ aktiv
Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare takohen një herë në vit për të rishqyrtuar çështjet politike dhe bashkëpunimin evropian dhe për tu dhënë shtysën e nevojshme politike veprimtarive të Këshillit. Përfaqësuesit e tyre të përhershëm (ambasadorët) mblidhen një herë në javë dhe reporterët e grupet e punës mblidhen për të studiuar çështje të caktuara në thellësi përpara se të merren vendimet.
Çdo ministër drejton Komitetin për gjashtë muaj, me kalim kryesie tek tjetri ministër në muajt maj dhe nëntor përkatësisht.


Fleksibilitet
Në rastet kur projektet nuk mbështeten nga të gjithë shtetet anëtare, Komiteti i Ministrave mund ti lançojë ato nën marrëveshjet e pjesshme që lejojnë disa anëtarë të ndjekin veprimtari të përbashkëta në fusha specifike.
Nga ana tjetër, marrëveshjet e zgjeruara mundësojnë disa apo të gjithë shtetet anëtare që të punojnë me shtetet jo-anëtare, duke u dhënë atyre përfitimin e strukturës së përhershme në Këshill.


:: Zgjidhjet në nivel evropian

Instrumentet e fuqishme

Vendimet e Komitetit u shkojnë qeverive në formë rekomandimesh, apo me anë të inkorporimit të tyre në konventat e marrëveshjet evropiane të cilat janë ligjërisht të detyrueshme për shtetet që i kanë ratifikuar ato.
Komiteti gjithashtu miraton deklarata dhe rezoluta mbi çështjet aktuale politike.
Deri më sot janë hartuar mbi 190 konventa. Ato kryesisht kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, por mbulojnë edhe fusha të tjera që pohojnë kohezionin demokratik, social dhe kulturor të Evropës.
Shumica e vendimeve të Komitetit të Ministrave kërkojnë dy të tretat e shumicës së votave, por një shumicë e thjeshtë është e mjaftueshme për çështjet procedurale.

Përgatitja e specializuar
Konventat e rekomandimet hartohen nga ekspertë të qeverive që janë përgjegjës ndaj Komitetit të Ministrave, duke harmonizuar interesat politike me konsideratat teknike e sektoriale. Shumë iniciativa politike ndërmerren në konferencat e radhës të ministrave të specializuar.

Demokracia dhe solidariteti
Këshilli i Evropës ka programe bashkëpunimi e asistence për shtetet e reja anëtare me qëllim që të ndihmojë ato të marrin nga përvoja e Këshillit. Ato bazohen në rezultatet e bashkëpunimit ndërqeveritar në Këshill – dokumentet referuese, rrjetet e ekspertëve dhe strukturat bashkëpunuese. Qëllimi i tyre është që të konsolidohet, fuqizohet e përshpejtohet reforma demokratike në këto vende, kështu që ato të mund të integrohen gradualisht e në mënyrë harmonike në proceset e strukturat e bashkëpunimit evropian, edhe përtej Këshillit të Evropës. Programi i Masave të Ngritjes së Besimit mbështet iniciativat civile e sociale për të përmirësuar njohuritë reciproke dhe bashkëpunimin midis shumicës (në një vend të caktuar) e komuniteteve të pakicës.

:: Ruajtës i vlerave

Mbrojtja e Statutit
Vendet që janë bërë anëtarë të Këshillit angazhohen që të pranojnë parimet e shtetit ligjor dhe të drejtat e popujve të tyre për të drejtat bazë të njeriut dhe liritë themelore. Ata gjithashtu angazhohen të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë e me efikasitet për të arritur një unitet më të madh dhe për të ndihmuar progresin e tyre ekonomik dhe social. Çdo shtet anëtar duhet të respektojë këto angazhime dhe Komiteti i Ministrave siguron që ata të bëjnë një gjë të tillë.
Nëse një shtet anëtar ndodhet në një rast të rëndë  të shkeljes së detyrimeve të tij sipas Statutit, Komiteti i Ministrave mund të pezullojë të drejtën e tij të përfaqësimit, të kërkojë për tërheqjen e tij apo edhe të pezullojë anëtarësimin e tij.

Zbatimi i konventave
Komiteti i Ministrave siguron gjithashtu që konventat dhe marrëveshjet midis shteteve anëtare të zbatohen siç duhet. Kjo është thelbësore në rastin  e dokumenteve të të drejtave të njeriut, ku më të rëndësishmet e të cilave kanë mekanizmin e tyre të vet mbikëqyrës (Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Karta Social Evropiane e Revizionuar, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare). 

Përgjegjësitë e Komitetit të Ministrave në lidhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut reflektojnë rëndësinë e kësaj konvente; ai është themeli i sistemit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të Evropës. Në mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga shtetet anëtare, Komiteti i Ministrave luan një rol thelbësor në ruajtjen e besueshmërisë së një sistemi të paprecedent në botë.

Respektimi i angazhimeve
Komiteti i Ministrave ka ushtruar përgjegjësitë e tij duke ecur në një frymë të paanshme e me një shpirt konstruktiv në përputhje me politikat që udhëheqin zgjerimin e Këshillit që nga rënia e Murit të Berlinit, duke vënë theksin në dialogun dhe krijimin gradual të kushteve politike e materiale që kontribuojnë në zhvillimin pozitiv të vendeve. Për këtë qëllim, ai ka prezantuar një sistem monitorimi duke siguruar që të gjithë shtetet anëtare të respektojnë detyrimet e tyre. Ai u ofron të gjithë anëtarëve kushtet e burimet që janë të nevojshme për të kultivuar vlerat themelore të Këshillit.
Zgjerimi i Këshillit të Evropës ka çuar në ndryshime të rëndësishme në organizimin dhe rolin e Komitetit të Ministrave, duke shtrirë aspektin politik të punës së tij në mënyrë të konsiderueshme.

Dialogu dhe shtrirja më gjerë
Këshilli i Evropës ka forcuar dialogun e tij me përfaqësuesit e zgjedhur të Evropës në nivel kombëtar e lokal dhe ka zgjeruar diskutimet e tij politike me shtetet jo-anëtare, duke përfshirë një numër shtetesh jo-evropiane që kanë status vëzhguesi (Shtetet e Bashkuara, Selia e Shenjtë, Kanadaja, Japonia dhe Meksika). Ai ka intensifikuar bashkëpunimin me organizata të tjera evropiane, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe me Kombet e Bashkuara.

Samitet e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive
Këshilli i Evropës deri më sot ka mbajtur tre samite të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive nga të gjithë shtetet e tij anëtare. I pari u mblodh në Vjenë në vitin 1993, pas rënies së komunizmit dhe zhvillimit të demokracive të reja në Evropën qëndrore e lindore. Ai konfirmoi politikën e Këshillit për të qenë i hapur dhe për t’u zgjeruar, si dhe lançoi reformën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ta bërë atë më efektive. I dyti u mbajt në Strasburg në vitin 1997, për ti dhënë një shtysë të re mbrojtjes së të drejtave të njeriut; samiti vendosi që të caktohej një Komisioner për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës.

Në 2005, Samiti i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës u mblodh në 16 dhe 17 maj në kryeqytetin polak, Varshavë – një qytet me një rëndësi simbolike në historinë e Evropës. Samiti i drejtuar nga Polonia kishte si synim që të siguronte që veprimtaritë e Këshillit të Evropës ti përkasin të 800 milion qytetarëve të 46 shteteve të tij anëtare dhe që do te merret me sfidat me të cilat ata përballen në shekullin e ri. Ai përcaktoi synimet e prioritetet e së ardhmes të Këshillit në një mandat të ri politik.



Last updated 2006-10-16 02:11:00

 
   © CoE Information Office, Tirana 2004 | Graphics and Programming by CPR Production   top